Saturday, January 28, 2023

Agjentët e Inteligjencës Heqin nga Morgjet Trupat e të Vdekurve në Protestat e Iranit

Djegia e bazës së Basij nga të rinjtë e rebeluar gjatë protestave të Iranit. Nëntor 2019- foto fajli

Regjimi iranian po dërgon agjentë të inteligjencës për të hequr nga morgu trupat e protestuesve të vrarë ditët e fundit, sipas raporteve nga rrjeti i brendshëm i Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), ose Mujahedin-e-Khalq (MEK).

Mbi 200 protestues janë vrarë gjatë kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian që filloi të premten, sipas një llogaritjeje të bërë nga burimet e MEK në Iran. Mijëra të tjerë janë plagosur. Më 17 nëntor 2019, Garda Revolucionare (IRGC) tha se ishin arrestuar 1,000 protestues, ndonëse numri i vërtetë është shumë më i lartë. 

Ka disa raporte të besueshme që tregojnë për heqjen e trupave nga morgjet. 

MEK ka konfirmuar se në Shiraz, agjentë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) kanë mësyrë spitalet dhe i kanë marrë protestuesit e plagosur për t’i çuar në vende të panjohura.

Forcat represive përfshijnë Forcat e Sigurisë së Shtetit (SSF), IRGC, Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS), njësitë speciale anti-rebelim dhe agjentët me veshje civile.
Në shumë raste, njerëzit ia kanë dalë t’i zmbrapsin sulmuesit e regjimit.

Ka gjithashtu raporte të shumta që tregojnë se forcat represive refuzojnë t’ua dorëzojnë familjeve trupat e të vrarëve në protesta. Ata madje refuzojnë edhe t’i çojnë tek mjeku ligjor, dhe i varrosin në vende të panjohura. 

Një punonjës spitali në Teheran, i lidhur me rrjetin e brendshëm të MEK, ka raportuar se ka parë 65 trupa të vdekur protestuesish në spital gjatë fundjavës. 

Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi të hënën i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara António Guterres që ta informojë Këshillin e Sigurisë lidhur me mizoritë e kryera nga diktatura fetare që sundon Iranin, Lideri Suprem Ali Khamenei, dhe IRGC, për sa i përket numrit në rritje të të vrarëve e të plagosurve. Znj. Rajavi e nxiti atë ta mbledhë Këshillin në një seancë të jashtëzakonshme.

Heshtja lidhur me krimet kundër njerëzimit që kryhen çdo ditë në Iran është absolutisht e papranueshme, theksoi znj. Rajavi, duke shtuar se Këshilli i Sigurisë duhet t’i deklarojë regjimin dhe liderët e tij përgjegjës për krime kundër njerëzimit, për të cilat ata duhet të përballen me drejtësinë. 

Martirët e kryengritjes janë kryesisht të rinj e adoleshentë, shumë prej tyre të qëlluar në kokë e gjoks. Besohet se numri i vërtetë i të vrarëve në protesta është shumë më i lartë. Regjimi po përdor një shumëllojshmëri hilesh për ta fshehur shifrën e vërtetë.