Saturday, July 27, 2024

Zgjedhjet parlamentare të Iranit janë një shtirje, pohojnë zyrtarët

Iran, 2 shkurt 2020—Në një kuvend të kryebashkiakëve e guvernatorëve më 27 janar, presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani shfaqi një aspekt të ri të luftës për pushtet midis grupimeve të ndryshme të regjimit.

“Ata thonë, shko në dyqan e zgjidh diçka për të blerë, dhe nëse ka vetëm artikuj të vetëm një marke a lloji, atëherë s’ke nevojë të zgjedhësh,” tha Rouhani, duke sulmuar në mënyrë indirekte Këshillin e Gardianëve, që kontrollohet nga lideri suprem Ali Khamenei, për faktin që ka skualifikuar anëtarët e grupimit të tij nga pjesëmarrja në zgjedhje. 

Shokët e Rouhani-t shkuan edhe më tej, dhe në një deklaratë të titulluar “Raport për popullin,” të publikuar një ditë më vonë, thanë, “Rezultati i votimeve për 160 vende të Majlis (parlamentit) është paracaktuar dhe nuk ka konkurencë, madje as midis principalistëve. Për 70 vendet e tjera, do të ketë një konkurencë shumë të dobët.”

Kjo do të thotë se rezultatet e zgjedhjeve janë të qarta që tani. Siç ka thënë Rouhani, “vetëm një markë e një lloj artikulli.” Me fjalë të tjera, marka e vetme është ajo e mullahëve, dhe artikujt e vetëm që mund të blesh janë ata që janë miratuar nga lideri suprem.