Friday, January 27, 2023

Zgjedhjet në Iran 2021: Zyrtarët e Regjimit e Pranojnë që Zgjedhjet Janë të Manipuluara

Vetëm pak ditë përpara farsës së zgjedhjeve presidenciale të Iranit, grindjet e brendshme të regjimit janë intensifikuar. Në mes të këtyre grindjeve, zyrtarët e regjimit e kanë pranuar se zgjedhjet në Iran nën regjimin e mullahëve janë një farsë.

Të hënën, Heidar Moslehi, ish-ministri i inteligjencës, pohoi që në 2013-ën, Këshilli i Gardianëve e pati skualifikuar Akbar Hashemi Rafsanjani-n, një nga zyrtarët më të lartë të regjimit, për shkak se kandidimi i tij nuk ishte “në të mirë të interesave të sistemit.” Komentet e Moslehi-t theksojnë faktin që zgjedhjet e lira në Iran nën regjimin e mullahëve janë një mit, dhe se të gjitha zgjedhjet janë të manipuluara.

Përpara zhvillimit të farsës së zgjedhjeve aktuale, Këshilli i Gardianëve i regjimit skualifikoi shumë kandidatë, pavarësisht rekordeve të tyre të errëta të dhunimeve të të drejtave njerëzore dhe rolit në terrorizëm. Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, vendosi t’i eliminonte të gjithë kandidatët e fraksionit rival, madje edhe të vetë fraksionit të tij, për shkak se ka ndërmend të nxjerrë fitues Ebrahim Raisi-n nga kutitë e votimit, me qëllimin për të konsoliduar pushtetin në regjimin e tij tashmë në prag të vdekjes.

Regjimi iranian nuk ka zhvilluar asnjëherë zgjedhje të lira e të drejta. I tërë procesi i farsës së zgjedhjeve është thjesht fasada e një regjimi brutal që e ka shtypur popullin iranian që në 1979-ën. Teokracia në pushtet nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët me demokracinë dhe vlerat demokratike. Me fjalë të tjera, zgjedhjet në Iran janë një parodi dhe një proces përzgjedhjeje nga Khamenei, i cili është vetë i pazgjedhur. Khamenei ka nën kontroll Këshillin e Gardianëve, i cili është një organ i pazgjedhur vetingu që ka për detyrë shqyrtimin e kandidatëve.

Në maj 2021, Hassan Abbasi, një figurë e afërt me Khamenei-n, e pranoi paradoksin e zhvillimit të zgjedhjeve në teokracinë në pushtet.

“Kemi një problem që ka filluar gjatë mandatit të Mohammad Khatami dhe në parlamentin e pestë në 1997-ën. Problemi ishte se ne pranuam modelin e demokracisë perëndimore për zgjedhjet,” tha Abbassi, duke nënvizuar këtë kontradiktë brenda regjimit.

Rezistenca Iraniane e ka nënvizuar me kohë faktin që zgjedhjet në Iran nën regjimin e mullahëve nuk ekzistojnë. Muajt e fundit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) e ka popullarizuar thirrjen për bojkotim të farsës së zgjdhjeve të regjimit me anë të Njësive të saj të Rezistencës.

Njësitë e Rezistencës të MEK kanë zhvilluar veprimtari kundër farsës së zgjedhjeve të regjimit në 310 zona në mbarë Iranin. Në prill, Njësitë e Rezistencës kryen veprimtari anti-regjim në mbi 250 vende në 27 provinca.

 

E përditshmja shtetërore Farhikhtegan të martën shprehu frikën e regjimit nga “[Veprimtaritë] e Njësive të Rezistencës, [opozita] që përhap dyshim lidhur me zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve, kryen veprimtari në rrjetet sociale dhe krijon një atmosferë irritimi lidhur me situatën aktuale, zhvillon protesta përpara ambasadave [të regjimit] jashtë vendit,” të cilat do të kenë “pasoja” për regjimin.

Pas protestave madhore të Iranit në 2018 dhe 2019, sidomos pas vrasjes së 1500 protestuesve në nëntor 2019, konflikti i popullit iranian me regjimin ka arritur në një pikë të pakthyeshme. Teksa dita e zgjedhjeve afrohet, gjithnjë e më shumë iranianë po i bashkohen fushatës për bojkotimin e tyre. Protestat e vazhdueshme në Iran nga njerëz prej të gjithë sektorëve të shoqërisë janë shenjë e trazimit të shoqërisë. Familjarët e viktimave të protestave të nëntorit kanë bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve të regjimit, duke nënvizuar se ata “as nuk e falin, as nuk e harrojnë” atë që ka bërë regjimi në nëntor 2019 dhe në këto 40 vite të fundit.

 

“Plagët e incidentit të nëntorit 2019 janë ende të hapura. Detajet e sakta të ditëve të përgjakshme të nëntorit 2019 nuk janë publikuar ende, dhe në të njëjtën kohë, askush në asnjë degë të qeverisë nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për vendimet e marra në ato ditë. Bilanci i vdekjeve në nëntor 2020 është ende pezull,” shkruante të hënën e përditshmja shtetërore Hamdeli.

Kështu, Khamenei ka për qëllim ta konsolidojë pushtetin në regjimin e tij për t’u përballur me këtë shoqëri të trazuar e cila “as nuk i harron, as nuk i fal,” krimet e regjimit. Shtypja e kësaj shoqërie të trazuar duke patur si president një njeri si Raisi vetëm sa do ta shtonte edhe më tej zemërimin e shoqërisë dhe do të rezultonte në një tjetër kryengritje mbarëkombëtare.