Të martën, Këshilli i Gardianëve i regjimit iranian eliminoi shumicën e kandidatëve të farsës së zgjedhjeve presidenciale me urdhër të Liderit Suprem të regjimit, Ali Khamenei. Kjo ka bërë që mediat shtetërore dhe zyrtarët e fraksionit rival të paralajmërojnë për pasojat e politikës së tkurrjes të regjimit.
Ky veprim i Khamenei-t konfirmoi përsëri atë që Rezistenca Iraniane e ka thënë me kohë: zgjedhjet në regjimin e mullahëve janë thjesht teatër dhe shërbejnë si fasadë e një regjimi mizor.
Khamenei ka ndërmend ta sigurojë fitoren e Ebrahim Raisi-t nga kutitë e votimit për të vazhduar me politikën e tkurrjes. Për këtë arsye, ai nuk ka mundur t’i tolerojë as zyrtarët e tij më të afërt, si Ali Larijani, ish-kryetari i Parlamentit.
Tani, grindjet e brendshme të regjimit kanë arritur në një nivel të ri.
“Ajo që ka ndodhur gjatë procesit të kualifikimit në zgjedhjet presidenciale, vetëm ‘zgjedhje’ që nuk mund të quhet. ‘Selektimi’ i Liderit Suprem nuk ka nevojë për votën time,” tha të enjten Mostafa Tajzadeh, një nga kandidatët e eliminuar dhe ish Zëvendës Ministër i Brendshëm.
“Njerëzit mendojnë se, pavarësisht se kush bëhet president, për ne nuk do të ndryshojë gjë. Të gjithë presidentët ndjekin disa urdhra specifikë. Si rrjedhim, pjesëmarrja jonë është e kotë,” tha Paravaneh Salahshouri, një ish-deputete.
“Kur në shoqëri të përhapet ndjenja e paefektshmërisë, njerëzit do të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ky refuzim për të marrë pjesë në zgjedhje përfundimisht do të rezultojë në incidente sociale, të cilat i kemi parë edhe kohët e fundit,” paralajmëroi Salahshouri zyrtarët e regjimit, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve ILNA, të enjten.
“Për shkak të skualifikimit të gjerë të kandidatëve për president, të gjithë e dinë se këto zgjedhje do të jenë jo profesionale, pa konkurencë, dhe do të kenë një pjesëmarrje të ulët votuesish,” tha të mërkurën në një deklaratë Shoqata e Mësuesve të Seminareve në Qom.
“Indiferenca e popullit dhe e një numri të madh ekspertësh e vrojtuesish është shumë e rrezikshme dhe po rritet,” tha të enjten Mullah Mohammad Javad Hojjati Kermani.
“Me skualifikimin masiv të kandidatëve, besimi i popullit në kutinë e votimit dhe në sistem po ulet gjithnjë e më shumë. Njerëzit e ndiejnë që janë të mbërthyer dhe duhet të çlirohen. Kjo situatë është e rrezikshme për ne,” tha Ashraf Broujerdi, ish zëvendëse e ministrit të brendshëm.