Saturday, February 4, 2023

Zgjedhjet në Iran 2021: Komentet e Khamenei-t Reflektojnë Frikën nga Bojkoti Zgjedhor dhe Kryengritjet Popullore

Muajin e shkuar, Këshilli i Gardianëve i regjimit iranian shpalli listën përfundimtare të kandidatëve për farsën e zgjedhjeve presidenciale të 18 qershorit. Edhe pse gati 600 individë ishin regjistruar në Ministrinë e Brendshme, vetëm shtatë prej tyre morën miratimin nga organi prej 12 anëtarësh që ka për detyrë të shqyrtojë kandidatët për t’u siguruar që ata mbajnë anën e vullnetit të liderit suprem të regjimit.

Vlen të përmendet që Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei e miratoi menjëherë vendimin e këshillit, vendim i cili e la kandidatin e tij të preferuar, Ebrahim Raisi, në konkurim kundër gjashtë figurave relativisht të vogla. Kjo ka lënë të kuptohet se Raisi do të jetë Presidenti i ardhshëm i regjimit. Por në një fjalim të premten, Khamenei tha se disa nga kandidatët e skualifikuar ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. “Disa kandidatëve u është bërë padrejtësi. Ata janë akuzuar për gjëra të pavërteta që fatkeqësisht janë përhapur edhe në internet. Mbrojtja e nderit të njerëzve është një nga çështjet më të rëndësishme. U bëj thirrje organeve kompetente që t’ua rikthejnë nderin,” tha ai në një fjalim të transmetuar në televizion, duke iu referuar ish-kryetarit të parlamentit Ali Larijani.

Brenda dhe jashtë Iranit, disa nxorën përfundimin e nxituar se kjo ishte një thirrje për rikthimin në kandidim të Larijani-t nga Këshilli i Gardianëve. Por megjithatë, Këshilli nxori një deklaratë ku rikonfirmon listën përfundimtare të kandidatëve.