Ulen Investimet në Iran

797

 

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari më 30 prill 2019.

Nga Mohammad Sadat Khansari

Vitin e shkuar, Presidenti amerikan Donald Trump shpalli se vendi ishte tërhequr nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), apo siç njihet ndryshe, pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin. Ai tha se do të riaplikoheshin sanksionet dhe Departamenti i Shtetit shpalli planet e tij lidhur me importet e naftës iraniane.

Impakti mbi ekonominë iraniane u vu re menjëherë, duke shkatërruar çdo mundësi për një shërim të afërt. Qeveritë e Bashkimit Europian u përpoqën t’i bindnin kompanitë që të qëndronin në Iran me premtimin se do t’i mbronin nga sanksionet amerikane. Megjithatë, këto përpjekje dështuan dhe një numër i madh kompanish multi-kombëtare u tërhoqën nga Irani pothuajse menjëherë. Është e qartë se nuk ia vlente të rrezikonin të përballeshin me sanksionet amerikane.

Dhe tani, pas një viti, ekonomia s’ka bërë gjë tjetër përveç se ka vuajtur për shkak të sanksioneve dhe daljes së SHBA-së nga pakti. Për më tepër, populli i Iranit e ndien se regjimi iranian është i paaftë të ndërmarrë masa për shërimin apo përmirësimin e ekonomisë.

Qendra e Kërkimit e Parlamentit në Iran ka përpiluar një raport rreth situatës dhe ka nxjerrë si përfundim se investimet janë një çështje kritike. Raporti tregon se që nga mesi i 2018-ës, siguria e investimit thuhej se ishte 6.3 në indeksin e përgjithshëm (ku 10 është më e keqja). Për çerekun e mëparshëm, thuhej se ishte 6.15, që do të thotë se është në rënie.

Administrata Trump është e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje për sjelljen luftarake të regjimit iranian. Trump dhe anëtarët e administratës së tij, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo kanë thënë se qëllimi i presionit ekonomik është t’i ndërpriten regjimit fondet që përdor për të financuar akte malinje dhe të detyrohet të sillet në mënyrë normale.

Megjithatë, nuk ka shans që regjimi të bëhet ndonjëherë më i moderuar pasi vetë ekzistenca e tij varet nga përhapja e kaosit në rajon. Dhe tani që IRGC është etiketuar si organizatë e huaj terroriste (FTO), kjo gjë do ta shkurajojë pa dyshim bërjen e investimeve të mëtejshme në Iran.