Tubim e Marshim i Madh nga Përkrahësit e MEK në Londër në Mbështetje të një Irani të Lirë

354

Anglo-iranianë e deputetë nga të dyja partitë i bëjnë thirrje Qeverisë Britanike që të ndërmarrë një politikë të rreptë ndaj Regjimit Iranian

Komunitetet anglo-iraniane në Mbretërinë e Bashkuar do të zhvillojnë një tubim madhor në Londër të shtunën më 27 korrik, për të shprehur mbështetjen e tyre për protestat dhe grevat e vazhdueshme popullore për ndryshim në mbarë Iranin.

Protestuesit do t’i bëjnë thirrje Qeverisë Britanike që ta ndalë paqësimin e regjimit iranian dhe të ndërmarrë një politikë të rreptë e cila t’i njohë aspiratat demokratike të popullit iranian. Ata do ta nxisin gjithashtu Qeverinë Britanike që t’i përkthejë deklaratat e saj të shqetësimit në veprime konkrete duke ushtruar presion mbi regjimin e Iranit për t’i dhënë fund dënimit me vdekje, arrestimeve arbitrare dhe për ta ndalur luftënxitjen, projektet bërthamore dhe të raketave balistike, si dhe eksportin e terrorizmit.

Komuniteteve anglo-iraniane, mbështetësve të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), do t’u bashkohen Anëtarë të Parlamentit nga të dyja partitë, mbrojtës e personalitete të mirënjohura të të drejtave njerëzore.

Tubimi në Londër do të jetë më i fundit i një serie demonstratash madhore të zhvilluara nga iranianët nëpër botë, seri që përfshin tubime të mëdha në Bruksel, Uashington D.C., Berlin dhe Stokholm gjatë javëve të fundit. Ky tubim do të zhvillohet në një kohë kur çështja e Iranit është shndërruar në një shqetësim madhor ndërkombëtar dhe regjimi klerikal e ka shtuar krijimin e tensioneve në rajon për ta larguar vëmendjen nga protestat popullore brenda vendit.

Demonstrata e Londrës do të përfshijë një numër ekspozitash rrugore dhe shfaqjesh teatrale që dënojnë krimet e regjimit dhe shkeljet e të drejtave njerëzore nga ai. Tubimi do të nisë me një grumbullim në Sheshin Trafalgar dhe do të ndiqet nga një marshim.