2 maj 2020
Ndërtesa e Thesarit amerikan
Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin amerikan të Thesarit, në një njoftim për shtyp më 1 maj, shpalli etiketimin e Amir Dianat, një agjent i regjimit iranian në Irak, dhe të kompanisë së tij e cila operon si një kompani frontale për Forcat Quds të Gardës Revolucionare (IRGC).
“Dianat, i cili njihet gjithashtu si Ameer Abdulazeez Jaafar Almthaje, është i përfshirë në përpjekjet e IRGC-QF për të gjeneruar të ardhura dhe për të kontrabanduar armë jashtë vendit. OFAC ka etiketuar gjithashtu Taif Mining Services LLC, një kompani që është në pronësi të Dianat, apo që kontrollohet e drejtohet prej tij,” lexon njoftimi për shtyp.
Njëkohësisht me këtë veprim të OFAC, Prokuroria e SHBA për Distriktin e Kolumbisë ka ngritur akuza kundër Dianat dhe njërit prej partnerëve të tij të biznesit për shkelje të sanksioneve dhe ligjeve mbi pastrimin e parave, si dhe ka nisur një procedim konfiskimi civil duke thënë se rreth 12 milion dollarë janë subjekt konfiskimi si fonde të përfshira në këto krime dhe si asete të një organizate të huaj terroriste.
“Regjimi iranian dhe mbështetësit e tij vazhdojnë t’i japin përparësi financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste më shumë sesa shëndetit dhe mirëqenies së popullit iranian,” tha Sekretari i Thesarit Steven T. Mnuchin. “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për të punuar me institucionet financiare, organizatat jo-fitimprurëse, dhe partnerët ndërkombëtarë për të lehtësuar tregtinë dhe ndihmën humanitare për popullin iranian.”
“Dianat, një partner i zyrtarëve Behnam Shahriyari dhe Rostam Ghasemi të IRGC-QF, i ka mbështetur operacionet kontrabanduese të IRGC-QF për disa vite, duke përfshirë përpjekjet me qëllim transportimin e armëve, përfshirë raketat. IRGC-QF është mbështetur tek Dianat për të siguruar hyrjen e anijeve që mbanin ngarkesa të IRGC-QF dhe i ka përdorur lidhjet e tij të biznesit për të lehtësuar kërkesat logjistike. Dianat ka qenë i përfshirë direkt në përpjekjet e IRGC-QF për të kontrabanduar ngarkesa nga Irani në Jemen,” lexon deklarata.
“Dianat ka qenë i përfshirë në zhvillimin e mundësive të paligjshme të biznesit për të gjeneruar të ardhura për IRGC-QF, dhe në 2019-ën, ka përdorur Taif Mining Services LLC, një kompani nën kontrollin e tij, për të siguruar një cisternë nafte,” shton deklarata e Thesarit amerikan.
Për vite të tëra, Rezistenca Iraniane e ka theksuar rolin e kompanive frontale dhe agjentëve të regjimit iranian në Irak në anashkalimin e sanksioneve dhe financimin e veprimtarive terroriste të regjimit në Irak. Më 26 janar 2007, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) pati ekspozuar një listë prej 32,000 emrash dhe numrash llogarie të agjentëve të Forcave Quds të regjimit në Irak. Shumë nga këta agjentë janë bërë më vonë zyrtarë të lartë të qeverisë irakene, dhe jo vetëm që kanë plaçkitur pasurinë e Irakut e kanë vrarë njerëz të pafajshëm por gjithashtu kanë sulmuar e vrarë anëtarë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak.