Ashraf-3, shtëpia e anëtarëve të MEK
Një raport i ri gjithëpërfshirës nga Treadstone 71, një kompani e sigurisë kibernetike, mbi fushatën keqinformuese të Iranit kryesisht kundër Znj. Maryam Rajavi, presidentes së zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe grupit kryesor opozitar, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), nënvizon shqetësimin dhe frikën e mullahëve nga opozita e organizuar.
Rasti i studimit në raportin e Treadstone 71 flet për mobilizimin kibernetik të regjimit në korrik 2020, njëkohësisht me konferencën e përvitshme “Irani i Lirë” të Rezistencës Iraniane, që këtë herë u mbajt online për shkak të pandemisë. Megjithatë, me Ashraf 3, kompleksin e MEK në Shqipëri, u lidhën mbi 30,000 lokalitete. Folësja kryesore e këtij eventi ishte Znj. Maryam Rajavi, dhe regjimi bëri që “hashtag-u kryesor… të merrte në shënjestër Maryam Rajavi-n,” sipas raportit.
Këtë fushatë e udhëhoqën ekipet kibernetike të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe të forcave Basij të regjimit. Shumë nga këto llogari shtireshin sikur ishin disidentë apo kritikë të regjimit, por në fakt operonin nga Irani dhe ishin llogari të rreme të IRGC-së.
Sipas raportit, këto llogari, “shumica me numër të madh ndjekësish, e përshkruanin veten si ‘monarkist,’ ‘reformist,’ apo ‘pro ndryshimit të regjimit’ në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale. Një karakteristikë e rëndësishme e këtyre llogarive është maskimi si gra të reja duke tërhequr e joshur përdorues që u besonin, me qëllimin për të zgjeruar rrjetin e mesazheve dhe për bashkëpunime të mundshme.”
“IRGC ka përdorur një ekip thelbësor llogarish proksi, me shumë mundësi ekipe kibernetike të forcave Basij, për të nxitur mesazhet dhe për të udhëhequr fushatën. Ata ndërtuan llogari me numër të madh ndjekësish, zakonisht duke përdorur identitete femërore që prezantoheshin si kritike të qeverisë, por edhe më kritike ndaj MEK,” shton raporti.
Në Iran, regjimi i ka ndaluar të gjitha platformat e rrjeteve sociale. Ndërkohë që regjimi dhe operativët e tij shtireshin sikur ishin iranianë kundër MEK-ut dhe zonjës Rajavi, Treadstone 71 nënvizon: “Pothuajse 50% e llogarive të përdorura në këtë fushatë ishin me pak ndjekës, të sapo-krijuara, apo llogari të fjetura, gjë që tregon se fushata me shumë mundësi ka përdorur programe autonome për të përhapur mesazhet, si dhe llogari zombi.”
Për ta bërë hashtag-un e vet një trend në Twitter, regjimi ka përdorur uebsitet dhe llogaritë e tij të njohura. Sipas raportit, “Uebsite të drejtuara nga netajngo.org (një krijim i MOIS me fokus demonizimin dhe shkatërrimin e MEK-ut me bazë në Shqipëri) kanë përhapur mesazhe me terma negativë ndaj MEK-ut.”
Regjimi ka shumë kohë që përpiqet ta diskreditojë Rezistencën Iraniane, qoftë online përmes llogarive të rreme, apo në mediat më të ndjekura. Pas dështimit të përpjekjes për të hedhur në erë tubimin “Irani i Lirë” të NCRI-së në 2018-ën, regjimi është përpjekur dëshpërimisht ta diskreditojë alternativën e vlefshme që ekziston ndaj tij duke zhvilluar një fushatë online. Por përsëri, kjo gjë dështoi.
Raporti i Treadstone 71 vjen pas gjyqit të diplomatit terrorist të burgosur të Iranit, Assadollah Assadi, dhe tre bashkëpunëtorëve të tij, në Belgjikë. Assadi dhe operativët e tij, Amir Sadouni me të shoqen Nasmieh Naami dhe Mehrdad Arefani, tentuan të shpërthenin një bombë në tubimin “Irani i Lirë” në Paris në 2018-ën. Por u arrestuan të gjithë.
Gjatë seancës së dytë të gjyqit të tyre më 3 dhjetor në Anversa të Belgjikës, terroristi i regjimit Arefani, i cili për vite të tëra është shtirur si poet ateist, u përpoq ta mohonte lidhjen e tij me Assadi-n, pavarësisht provave të pamohueshme. Ai e prezantonte veten si intelektual, poet ateist, i cili është kundër Islamit, për t’u infiltruar tek mbështetësit e MEK dhe për të zhdukur çdo dyshim se mund të jetë agjent i regjimit.
Pasi në shikim të parë, dikush mund të mendojë se për të qenë operativ i një regjimi të ashtu-quajtur “islamist”, një person duhet të jetë besimtar. Arefani u përpoq më kot ta shfrytëzonte këtë pretekst në gjyq.
Avokati i terroristes tjetër Nasimeh Naami, e cila është arrestuar duke patur në posedim 500 gramë eksploziv TATP, u përpoq ta paraqiste Naami-n si një shpirt i pafajshëm, familja e së cilës janë “monarkistë” dhe kundër “mbulimit.”
Qëllimi i regjimit, pavarësisht pretendimit se është shtet fetar, është ta ruajë pushtetin e vet me çdo kusht dhe ta eliminojë alternativën e vlefshme ndaj tij. Në vitet 1980, Ruhollah Khomeini, Lideri Suprem i atëhershëm i regjimit, u jepte urdhër torturuesve të tij të mos agjëronin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në mënyrë që të ishin në gjendje t’i torturonin disidentët dhe anëtarët e MEK.
Ngaqë regjimi nuk mundi të realizonte një operacion terrorist kundër opozitës, ai iu drejtua terrorizmit kibernetik, i cili sipas Treadstone 71, “me shumë mundësi ka shkelur politikat e Twitter si manipulimi i platformës dhe politika e spam-eve, politika e falsifikimit, dhe politika e mediave sintetike dhe të manipuluara.”
Regjimi i përdor të gjitha mjetet e mundshme për të arritur qëllimin e tij malinj. Ky është po ai regjim që e bllokoi plotësisht internetin gjatë kryengritjes së nëntorit 2019 për të masakruar protestuesit, ndërkohë që i përdor rrjetet sociale për ta demonizuar opozitën.
Assadi i ka përdorur gjithashtu privilegjet e tij diplomatike për të transferuar një bombë në Europë duke përdorur një avion pasagjerësh, para se t’ua dorëzonte atë terroristëve të tjerë.
Raporti, dhe përpjekjet e regjimit për ta marrë në shënjestër Rezistencën Iraniane, shfaqin gjithashtu frikën e regjimit nga alternativa e vlefshme ndaj tij, të cilën mullahët e fajësojnë për kryengritjen e nëntorit, kryengritje që ia shkundi themelet regjimit.
Kështu që është koha që komuniteti ndërkombëtar të veprojë me vendosmëri. Misionet diplomatike dhe qendrat e ashtu-quajtura fetare e kulturore të regjimit duhet të mbyllen. Twitter dhe platformat e tjera të rrjeteve sociale duhet t’i ndalojnë llogaritë e regjimit, të cilat vetëm sa përhapin urrejtje dhe përgatisin terrenin për terrorizëm.