Friday, January 27, 2023

Provat e Mëtejshme në Çështjen e Assadollah Assadi-t Theksojnë Nevojën për Dëbimin e të Gjithë Agjentëve të Regjimit Iranian nga BE

 

 

Zbulimi i gjithnjë e më shumë provave në çështjen e diplomatit terrorist të burgosur të Iranit, Assadollah Assadi, dhe tre bashkëpunëtorëve të tij, e bën edhe më të qartë shtrirjen dhe historinë e lidhjeve të tyre me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) të regjimit. Kjo gjë nënvizon gjithashtu nevojën për t’i dëbuar të gjithë agjentët e regjimit iranian që përdorin status refugjati në Europë për të ndjekur qëllimet malinje të mullahëve.

Çifti terrorist, Amir Sadouni dhe Nasimeh Naami, të cilëve Assadi u kishte ngarkuar detyrën për të vendosur një bombë në tubimin “Irani i Lirë” të opozitës iraniane në 2018-ën në Paris, janë përpjekur ta minimizojnë rolin e tyre si agjentë të MOIS gjatë gjyqit në Anversa të Belgjikës. Por, me publikimin e gjithnjë e më shumë provave, roli i tyre si agjentë të vjetër e me përvojë të MOIS po bëhet i qartë.

Meqë Sadouni dhe Naami janë të dy nga provinca Khuzestan në Iranin jug-perëndimor, MOIS filloi të punonte me këta dy terroristë përmes degës së saj në Ahvaz, që është qendra e provincës Khuzestan.

Kontaktet e këtij çifti terrorist nga 2007 në 2015-ën kanë qenë agjentët e MOIS, të identifikuar si Javad, Ahmadzadeh dhe Mohammad.

Sipas provave, Sadouni u ka thënë prokurorëve se Javad, nga MOIS, i ka telefonuar atij në dimrin e 2007-ës. “Në 2010-ën, Javad na kërkoi të shkonim në Iran. Nasimeh dhe unë udhëtuam për në Iran, më duket se në verë. Dy individë po na prisnin [në Teheran]. Më vonë mësuam se njëri prej tyre ishte Javad. Morëm avionin për në Ahvaz,” ka thënë Sadouni gjatë marrjes në pyetje.

“Ata [MOIS] na lejuan të kalonim disa kohë me familjen time në Abadan. Edhe familja e Nasimeh jetojnë në Abadan. Ata [agjentët e MOIS] na telefonuan pas dy javësh dhe na thanë të shkonim në një hotel në Ahvaz. Javad dhe kolegu i tij na prisnin në holl. Na çuan në një dhomë, dhe folëm për rreth 7 orë. Përveç Javad, atje ishin edhe dy apo tre të tjerë. Ata ishin [MOIS] përfaqësues nga Teherani, Ahvaz dhe Abadan,” ka shtuar Sadouni, duke nënvizuar se kanë folur për “veprimtaritë dhe organizimin” e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Pas Javad-it, një tjetër agjent i MOIS i identifikuar si Ahmadzadeh u bë kontakti i Sadouni-t dhe Naami-t nga 2010 në 2013-ën.

Sadouni, i cili mblidhte informacione për MEK dhe mbështetësit e tyre, konfirmoi se ka “vazhduar të dërgojë informacione” pasi ishte takuar me Javad.

“Pas rikthimit në Belgjikë, telefonatat nuk ishin nga Javad. Na kontaktonte Ahmadzadeh. Ai më telefonoi, u prezantua dhe tha se ishim takuar në Iran dhe se Javad tani ka një mision tjetër. Ai më urdhëroi t’i vazhdoja veprimtaritë e mia. Ashtu si më parë, i dërgoja gjithçka me email. Ashtu si Javad, ai [Ahmadzadeh] më telefononte me numër anonim,” tha Sadouni.

Në 2013-ën, Sadouni udhëtoi për në Iran dhe u takua me agjentët e MOIS. Pas këtij udhëtimi, kontakti i Sadouni-t u bë një person i identifikuar si Mohammad nga Zyra e Përgjithshme e MOIS në Provincën Khuzestan.