Friday, March 29, 2024

Rëndësia e Letrës së Ekspertëve të OKB për Masakrën e 1988-ës: Fitore për Lëvizjen në Kërkim të Drejtësisë

Letra e shtatë Raportuesve Specialë të Kombeve të Bashkuara, e bërë publike të mërkurën, mbi masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë iranianë, është një zhvillim i rëndësishëm në lëvizjen që kërkon drejtësi për viktimat e këtij krimi kundër njerëzimit.

Në verën e 1988-ës, regjimi iranian masakroi mbi 30,000 të burgosur politikë, kryesisht anëtarë dhe mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Raportuesit Specialë të OKB që kanë nënshkruar letrën janë Luciano Hazan, Krye-Raportues i Grupit të Punës për Zhdukjet e Detyruara apo Kundër Vullnetit; Agnes Callamard, Raportuese Speciale për ekzekutimet jashtë-gjyqësore, të nxituara apo arbitrare; Clement Nyaletsossi Voule, Raportues Special për të drejtën e lirisë për mbledhje dhe shoqërim paqësor; Javaid Rehman, Raportues Special mbi situatën e të drejtave njerëzore në Republikën Islamike të Iranit; Fionnuala Ní Aoláin, Raportuese Speciale për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe lirive themelore në betejën kundër terrorizmit; Nils Melzer, Raportues Special mbi torturën dhe trajtime apo ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore apo poshtëruese; dhe Fabian Salvioli, Raportues Special mbi promovimin e të vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mos-përsëritje.

Raportuesit Specialë të OKB

Raportuesit Specialë të OKB kanë nënvizuar se, nëse regjimi iranian vazhdon t’i shpërfillë detyrimet e tij sipas ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ata nxisin komunitetin ndërkombëtar që të nisë një hetim të vetin mbi këtë masakër, “përfshirë edhe me anë të krijimit të një grupi hetimor ndërkombëtar.”

Ata nënvizuan gjithashtu se masakra e 1988-ës “mund të jetë e barasvlefshme me krime kundër njerëzimit” dhe “fshehja sistematike e fatit dhe vendndodhjes së viktimave përbën një krim në vazhdim kundër njerëzimit me zhdukje të detyruar.”

Robert A. Destro, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Demokracinë, të Drejtat Njerëzore dhe Punën në Departamentin amerikan të Shtetit, ka nënvizuar nevojën për një hetim të pavarur mbi masakrën e 1988-ës, duke theksuar se regjimi i mullahëve do të vazhdojë ta refuzojë nisjen e një hetimi për këtë krim.

“Shtetet e Bashkuara i japin jehonë thirrjes së OKB për një hetim të pavarur mbi zhdukjet masive dhe ekzekutimet e nxituara në Iran gjatë 1988-ës, ndonëse përfshirja e dyshuar e zyrtarëve të lartë aktualë bën që të ketë shumë pak gjasa që regjimi të hetojë veten. Regjimi nuk u ka dhënë familjarëve llogari për fatin e njerëzve të tyre të dashur. Përkundrazi, ata i kërcënojnë familjet dhe përdhosin zonat e varreve. Iranianët meritojnë drejtësi. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i kërkojë llogari regjimit përballë kërkesave të OKB-së,” shkruan ai në Twitter.

Amnesty International e ka përshkruar këtë letër si një “pikë kthese” në luftën tre-dekadëshe për drejtësi.