Saturday, July 27, 2024

Paqësimi i Regjimit Iranian Rrezikon edhe më Tej Sigurinë Globale

Me marrjen e pushtetit nga administrata e re në Shtetet e Bashkuara, shumë nga apologjetët e Iranit, paralelisht me fushatën e shantazheve të regjimit, shpresojnë t’i rikthehen asaj që e quajnë “epoka e artë” e paqësimit. Ndërkohë që Irani i shton veprimtaritë malinje brenda dhe jashtë vendit, komuniteti botëror duhet të mbajë një qëndrim të rreptë kundër regjimit.

Vendet europiane duket se i kanë mbyllur sytë ndaj veprimtarive malinje të regjimit. Pavarësisht disa ngjarjeve të ndodhura brenda këtyre viteve, vendet europiane nuk i kanë këputur lidhjet diplomatike me regjimin.

Këtë e vërtetojnë dëbimet e diplomatëve iranianë nga Franca, Hollanda, dhe Shqipëria kohët e fundit. Këto dëbime janë bërë si përgjigje ndaj akteve të fundit të diplomatit terrorist të regjimit, i përfshirë në komplote terroriste kundër disidentëve iranianë në tokën europiane. Këto komplote nisin nga vrasjet e shënjestruara e shkojnë deri tek tentativa për të hedhur në erë tubime të mëdha të Rezistencës si tubimi “Irani i Lirë” që u zhvillua në periferi të Parisit në qershor 2018. Ky incident çoi jo vetëm në dëbime por edhe në gjyqin e parë për terrorizëm ku njëri nga të pandehurit është diplomati i regjimit iranian.

Pas një hetimi të gjatë, gjyqi nisi zyrtarisht nëntorin e shkuar në Belgjikë, ku janë kapur dy nga operativët e regjimit të cilëve u janë gjetur 500 gram TATP, lëndë eksplozive të cilën ata kishin në plan ta përdornin kundër tubimit të mbi 100,000 emigrantëve dhe të vrisnin udhëheqësen e opozitës iraniane, Znj. Maryam Rajavi. Zbulimet e bëra publike lidhur me këtë çështje përfshijnë faktin se lënda eksplozive është kontrabanduar në Europë nga i pandehuri kryesor, diplomati terrorist i burgosur i Iranit, Assadollah Assadi, me anë të një avioni pasagjerësh ndërkohë që ai udhëtonte me pasaportë diplomatike.