Thursday, February 9, 2023

Një Vit Pasi Irani Rrëzoi Avionin e Pasagjerëve PS752, Është Koha që Komuniteti Ndërkombëtar t’i Kërkojë Llogari Regjimit

Avioni ukrainas PS752 u qëllua dhe u rrëzua nga Garda Revolucionare e regjimit iranian më 8 janar 2020, duke i vrarë të 176 njerëzit në bord

8 janari shënon njëvjetorin e rrëzimit të fluturimit PS752, një avion pasagjerësh që largohej nga Irani për në Ukrainë, nga Garda Revolucionare (IRGC), incident që shkaktoi vdekjen e të 176 njerëzve në bord. Ndërkohë që regjimi dhe apologjetët e tij pretendojnë se ky rrëzim ishte rezultat i një “gabimi njerëzor,” provat tregojnë se ky incident tragjik mund të ishte parandaluar.

Për më tepër, komuniteti ndërkombëtar nuk ka sjellë drejtësi për familjet e viktimave, dhe zyrtarët e lartë të Iranit që janë përgjegjës për këtë krim gëzojnë pandëshkueshmëri.

Më 8 janar, raketat sipërfaqe-ajër të IRGC qëlluan dhe rrëzuan Fluturimin 752 të Ukraine International Airlines. Për tre ditë rresht, zyrtarët e regjimit u përpoqën të fajësonin për këtë rrëzim një keqfunksionim teknik në motorët e avionit. Më vonë, provat, duke përfshirë filmime, konfirmuan që avioni ishte qëlluar nga IRGC.

Zyrtarët e regjimit u detyruan ta pranonin krimin më 11 janar. Presidenti i regjimit Hassan Rouhani dhe Lideri Suprem Ali Khamenei pretenduan se nuk kishin qenë në dijeni të këtij incidenti.

Pak më vonë, Kreu Aerohapësinor i IRGC-së, Amir Ali Hajizadeh, pohoi se i kishte informuar zyrtarët e lartë të regjimit, duke përfshirë Khamenei dhe Rouhani, në ditën e ndodhjes së incidentit.

Më 11 janar në disa qytete iraniane shpërthyen protesta, ku njerëzit kërkonin që autorët e këtij krimi të mbanin përgjegjësi. Protestuesit kishin në shënjestër kryesisht Rouhani-n dhe Khamenei-n në slloganet e tyre dhe përsëritnin të njëjtat sllogane si “vdekje diktatorit,” me të cilat kishin thirrur më parë gjatë protestave madhore të nëntorit 2019 në Iran.