Saturday, February 4, 2023

Konferencë globale njëkohësisht me dhënien e dënimit për diplomatin terrorist të regjimit klerikal nga një gjykatë europiane

 

Maryam Rajavi:

  • Dënimi i diplomatit terrorist të regjimit në gjykatën belge të Anversës përfaqëson dënimin për regjimin klerikal në tërësi
  • Mbyllini ambasadat e regjimit, përfshijini MOIS dhe IRGC në listën e zezë, dhe ndiqini penalisht e deportojini mercenarët e tyre

Mëngjesin e të enjtes, 4 shkurt 2021, njëkohësisht me dhënien e verdiktit të gjykatës në Anversa të Belgjikës lidhur me terroristin diplomat të regjimit klerikal, Assadollah Assadi, dhe bashkëpunëtorët e tij, u mbajt një konferencë globale online, ku Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), dhe dhjetëra figura të shquara nga shtete të ndryshme europiane, Shtetet e Bashkuara, dhe Kanadaja, iu bashkuan mijëra anëtarëve të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) me bazë në Ashraf-3 (Shqipëri) si dhe mbështetësve të Rezistencës Iraniane në mbarë botën.

Gjykata belge e ka refuzuar pretendimin e Assadollah Assadi për imunitet diplomatik dhe e ka dënuar atë me 20 vite burg. Tre agjentët e inteligjencës, Nasimeh Naami, Mehrdad Arefani, dhe Amir Saadouni, janë dënuar përkatësisht me 18, 17, dhe 15 vite burg. Atyre u është hequr gjithashtu edhe shtetësia belge.

Duke folur në këtë konferencë globale, Znj. Rajavi deklaroi se dënimi i diplomatit të regjimit klerikal dhe agjentëve të tij të inteligjencës ishte një dënim për regjimin në tërësinë e tij, një triumf historik për popullin dhe Rezistencën iraniane, një disfatë e rëndë politike dhe diplomatike për regjimin iranian, dhe një goditje e pandreqshme për strategjinë e tij të eksportimit dhe përhapjes së terrorizmit. Prandaj, ajo përgëzoi popullin iranian, i cili është viktima kryesore e represionit dhe terrorizmit të regjimit klerikal. Znj. Rajavi shtoi: Dy dekada më parë, mullahët u përpoqën ta paralizonin MEK-un dhe rezistencën e organizuar të popullit iranian duke hapur çështje plot me akuzime të rreme dhe përmes listimeve terroriste në SHBA, Britani, Gjermani, dhe Francë. Por Rezistenca Iraniane i theu të gjithë ata zinxhirë e pengesa. Njëra pas tjetrës, drejtësitë në vende të ndryshme i hodhën poshtë akuzat e pavërteta terroriste kundër Rezistencës Iraniane, dhe sot, drejtësia dënoi terrorizmin e vërtetë dhe terroristët që veprojnë nën flamurin e Islamit dhe Shiizmit, konkretisht diktaturën fetare të regjimit klerikal.

Znj. Rajavi tha se ky gjyq tregoi se regjimi ndihet i kërcënuar dhe i dëshpëruar për t’iu kundërvënë alternativës së tij demokratike, dhe për këtë arsye është i përgatitur të ndërmarrë rreziqe tepër të mëdha. Ky gjyq shënon fundin e mashtrimeve nga ana e të dy fraksioneve të regjimit për të fshehur rolet e tyre në krime terroriste dhe tregon se, kur është fjala për egërsinë dhe ligësinë e pastër, “të moderuarit” dhe “konservatorët” përpiqen vazhdimisht t’ia kalojnë njëri-tjetrit. Është tërësia e këtij regjimi që ka themeluar një infrastrukturë të organizuar të terrorizmit të sponsorizuar nga shteti për t’iu shmangur përmbysjes së vet. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim midis institucioneve të regjimit kur është fjala për kryerjen e krimeve dhe terrorizmin. Forca terroriste Qods është praktikisht e integruar me Ministrinë e Jashtme të regjimit në shumë fusha. Dhe në shumicën e rasteve, vetë Ministri i Jashtëm vepron si shërbëtor dhe lake i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Znj. Rajavi shtoi se dënimi i regjimit klerikal në Gjykatën e Anversës është një hap shumë i rëndësishëm, por duhet të vazhdohet derisa i gjithë aparati terrorist i regjimit të shpërbëhet plotësisht. Përtej pasojave të tij ligjore, ky verdikt i gjykatës belge mbart disa detyrime të caktuara për Europën dhe komunitetin ndërkombëtar. Si rrjedhojë, siç kanë deklaruar parlamentarë e personalitete të shquara europiane, Rezistenca Iraniane u bën thirrje edhe një herë qeverive të Europës që t’i ndryshojnë përqasjet dhe politikat e tyre dhe:

  • T’i mbyllin ambasadat dhe qendrat e tjera të regjimit në Europë, pasi të gjitha janë qendra terrorizmi.
  • T’i kërkojnë llogari Ministrit të Jashtëm të regjimit. Është vërtetuar se ministria e tij, si dhe ambasada e diplomati nën kontrollin e tij, kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe përgatitjen për kasaphanën masive që mbeti në tentativë.
  • T’i etiketojnë Ministrinë e Inteligjencës dhe IRGC-në në tërësinë e tyre si entitete terroriste.
  • T’i ndjekin penalisht drejtuesit e regjimit të cilët janë krerët dhe arkitektët e infrastrukturës së tij terroriste. Ata duhet të përballen me drejtësinë.
  • Agjentët dhe mercenarët e inteligjencës së mullahëve nën çfarëdolloj mbulimi duhet të ndiqen penalisht dhe të dëbohen. Dhënia e statusit të refugjatit dhe nënshtetësisë për këta persona duhe të konsiderohet si një prag i pakalueshëm.
  • Çdo formë normalizimi e marrëdhënieve diplomatike me regjimin duhet të kushtëzohet nga shpërbërja e infrastrukturës dhe veprimtarive të tij terroriste.

Mos e lejoni regjimin t’i mashtrojë shërbimet perëndimore të inteligjencës dhe t’i shfrytëzojë kontakte të tilla për të mbrojtur territoret e veta.

Znj. Rajavi theksoi se terrorizmi i regjimit klerikal nuk ka ndryshim nga shtypja që ai i bën popullit të vet apo nga programi i armëve bërthamore. Nuk ka ndryshim as nga veprimtaritë luftënxitëse dhe krimet e tij në Lindjen e Mesme apo nga programi i raketave. Përpjekjet për ta frenuar dhe për ta vënë nën kontroll programin bërthamor të regjimit nuk do të kenë sukses nëse atyre nuk u shtohet një qëndrim i rreptë kundër dhunimit të të drejtave njerëzore të popullit të Iranit, si dhe dëbimi i mullahëve nga Lindja e Mesme dhe shpërbërja e programit raketor të regjimit. Ditën pas përmbylljes së paktit bërthamor midis regjimit dhe P5+1, unë pata përsëritur në emër të Rezistencës Iraniane: “Nëse P5+1 do të ishin treguar të vendosur, regjimi iranian nuk do të kishte patur mundësi tjetër veçse të tërhiqej plotësisht dhe t’i braktiste përgjithmonë përpjekjet e tij për të ndërtuar një armë bërthamore, dhe specifikisht, ai do ta kishte braktisur pasurimin e uraniumit dhe do t’i kishte mbyllur plotësisht projektet e tij bombë-prodhuese.” Ne vumë në dukje gjithashtu se: “Duhet këmbëngulur me vendosmëri që regjimi t’i ndalojë ndërhyrjet në Lindjen e Mesme, dhe t’i tërheqë të gjitha forcat nga ky rajon.” Në të njëjtën ditë, ne theksuam: “Çdo marrëveshje që nuk merr në konsideratë të drejtat njerëzore të popullit iranian vetëm sa e nxit më shumë shtypjen dhe ekzekutimet e pandalura nga regjimi, si dhe i shkel të drejtat e popullit të Iranit, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.” Gjatë gjashtë viteve të fundit, të gjitha këto fakte dhe pohime janë vërtetuar një nga një.

Në këtë konferencë globale morën pjesë një numër politikanësh të shquar europianë, amerikanë e arabë, shumë prej të cilëve kanë qenë paditës privatë në gjykatën belge. Mes këtyre folësve ishin: Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale e Kolumbisë; Stephen Harper, ish-Kryeministër i Kanadasë; Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe Ministër aktual i Shtetit për Diasporën; Gjenerali James Jones, ish Këshilltar i Presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare dhe Komandant Suprem i Aleancës, Europë; Alejo Vidal Quadras, ish Zëvendës President i Parlamentit Europian; Tom Ridge, Sekretar i Parë i SHBA për Sigurinë e Atdheut; Michèle Alliot-Marie, ish Ministre e Francës për Punët e Jashtme, Ministre e Mbrojtjes dhe Ministre e Brendshme; John Baird, ish Ministër i Jashtëm i Kanadasë; Giulio Terzi, ish Ministër i Jashtëm i Italisë; Riad Yassin Abdallah, ish Ministër i Jashtëm i Jemenit dhe Ambasador në Francë; Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë dhe lideri aktual i Partisë Republikane të Shqipërisë; David Jones, ish ministër për Brexit në qeverinë e Theresa May; Kimo Sassi, ish Ministër i Finlandës për Çështjet Europiane dhe Tregtinë e Jashtme; Ambasadori Robert Joseph, ish nënsekretar i shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare në SHBA; Ambasador Mitchell Reiss, ish Drejtor i Planifikimit të Politikës në Departamentin e Shtetit; Patrick Kennedy, ish kongresmen amerikan; Linda Chavez, ish drejtore e marrdhënieve publike në Shtëpinë e Bardhë; Senator Robert Torricelli; gjithashtu anëtarë të parlamentit britanik, duke përfshirë Matthew Offord, Bob Blackman, Steve McCabe; anëtarë të Parlamentit Europian duke përfshirë  Milan Zver nga Sllovenia, Gianna Gancia nga Italia, dhe ish anëtare e parlamentit europian, Paolo Casaca; Michèle de Vaucouleurs, Jean Michel Clement dhe Frédéric Reissmembers nga Asembleja Kombëtare e Francës; Martin Patzelt, anëtar i Parlamentit federal Gjerman; anëtarë të Parlamentit Italian duke përfshirë Antonio Tasso, Senator Roberto Rampi; si dhe Kolonel Wesley Martin; Tahar Boumedra;‌ Jean-François Legaret, ish Kryebashkiak i Distriktit të Parë të Parisit; Lars Rise, ish përfaqësues norvegjez; Elona Gjebrea, Sekretare e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Shqiptar dhe ish Zëvendës Ministre e Brendshme e Shqipërisë.

Njëkohësisht me këtë konferencë, mbështetës të MEK dhe Rezistencës Iraniane në vende të ndryshme zhvilluan tubime përpara ambasadave të regjimit klerikal apo ministrive të jashtme të vendeve europiane në Belgjikë (Anversa), Francë (Paris), Gjermani (Berlin, Hamburg, Frankfurt, Mynih), Austri (Vienë), dhe Zvicër (Gjenevë), dhe bënë thirrje për rishikimin e politikave të BE-së ndaj Iranit, për mbylljen e ambasadave të regjimit, si dhe për përfshirjen e Ministrisë së Inteligjencës dhe Gardës Revolucionare në listën e zezë dhe dëbimin e mercenarëve të tyre nga vendet europiane.

 

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)

4 Shkurt 2021