Monday, February 6, 2023

Iran: Zarif Lavdëron Konservatorët, Përveçse Kur Përpiqet të Manipulojë Perëndimin

Nëse apologjetët e mullahëve janë përpjekur të krijonin përshtypjen se intervista e nxjerrë javën e shkuar e Ministrit të Jashtëm të regjimit, Javad Zarif, tregon për një përçarje serioze midis “konservatorëve” dhe “reformistëve” në regjimin klerikal, ata kanë dështuar. Të dielën, lideri suprem i regjimit Ali Khamenei iu referua komenteve të ministrit të jashtëm si një “gabim i madh,” duke bërë kështu që Zarif të kërkonte falje në mënyrë servilosëse, e duke rikonfirmuar besnikërinë e tij ndaj një sistemi që i jep krye-klerikut një autoritet absolut në të gjitha çështjet politike, duke përfshirë politikën e jashtme.
Zarif shfrytëzoi rastin për të sinjalizuar ekzistencën e unitetit brenda këtij sistemi duke u mbështetur në një narrativë të njohur të sjelljes luftarake. Ndërkohë që pothuajse nuk dha asnjë koment mbi përmbajtjen e intervistës së tij, ai deklaroi se nxjerrja në publik e kësaj interviste kishte qenë vepër e “armiqve” të regjimit iranian. Në një postim në Instagram, Zarif gati-gati lutet që ta falin, duke thënë “Më vjen shumë keq që një pjesë e komenteve të mia janë vjedhur… dhe që kjo gjë ju ka bërë ju, lider suprem, të ndiheni keq.”
Në këtë intervistë, Zarif ankohet se roli i tij në politikën e jashtme ishte anashkaluar për shkak se prioritetet e regjimit prireshin drejt objektivave paramilitare të promovuara nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe sidomos nga krye-mjeshtri i eliminuar i terrorizmit, Qassem Soleimani, komandanti i Forcave terroriste Quds. Soleimani u vra nga një sulm amerikan me dron në janar 2020, sulm pas të cilit, autoritetet bënë përpjekje të gjera por të dështuara për ta portretizuar atë si një hero, duke i kriminalizuar raportet apo deklaratat negative për të.

Zarif dhe zyrtarë të tjerë nga fraksioni i ashtu-quajtur reformist i regjimit morën pjesë aktive në këto përpjekje, duke qarë në varrimin e Soleimani-t e duke e lavdëruar publikisht rolin që ai kishte luajtur në zgjerimin e ndikimit shkatërrimtar të regjimit dhe në sigurimin e interesave të tij, si në Siri e Irak. Këto deklarata përputheshin gjerësisht me qëndrimet që po këta “reformistë” kishin shfaqur ndaj komandantit të Forcave Quds dhe terrorizmit të regjimit në përgjithësi kur Soleimani ishte ende gjallë.
Në 2019-ën, pasi SHBA e etiketoi si terroriste IRGC-në në tërësi, dhe jo vetëm Forcën Quds si më përpara, Zarif e pranoi menjëherë ftesën në zyrat qendrore të IRGC-së dhe mbajti një fjalim ku adresoi, mes të tjerash, marrëdhënien e tij bashkëpunuese me Soleimani-n. Zarif deklaroi se ai dhe i ashtu-quajturi rival i tij në çështjet e politikës së jashtme ishin, në fakt, pothuajse gjithmonë në të njëjtën linjë. Fjalimi i tij tregoi se këta dy persona nuk kishin patur asnjëherë ndonjë mospërputhje të konsiderueshme perspektivash në periudhën e gjatë kur zhvillonin takime të përjavshme mbi strategjinë.

Intervista e Zarif-it nuk bie në kontradiktë direkt me asnjërin prej këtyre fakteve. Në pjesën më të madhe të saj, ajo thjesht tregon se politika e jashtme e regjimit u vë përparësi çështjeve ushtarake, apo më mirë të themi terrorizmit, përmbi diplomacinë. Askujt nuk duhej t’i ishte dukur kjo një vërejtje revolucionare, dhe askush nuk duhej ta kishte parë këtë si shenjë që Zarif është thellësisht kundër këtij sistemi apo vërtet i përkushtuar ndaj një alternative më diplomatike. Asgjë që ka bërë ai gjatë tetë viteve si ministër i jashtëm nuk ka dhënë shenja për këtë. Në fakt, ai vepron si një “ministër propagande” për regjimin, dhe administrata e mëparshme amerikane e ka sanksionuar madje atë, pikërisht për këtë arsye.
Është shumë më e mundshme – në fakt pothuajse e sigurtë – që mosmarrëveshja momentale e Zarif-it me mbikëqyrësit e tij të ketë qenë në të vërtetë pjesë e një strategjie të vjetër për të manipuluar vendet perëndimore që ta zbusin presionin mbi autoritetet konservatore. Europa dhe SHBA fatkeqësisht kanë rënë pre e kësaj hileje shumë herë në të shkuarën, por nuk duhet ta bëjnë këtë tani që Teherani është dobësuar së tepërmi nga efektet e dyfishta të presionit maksimal dhe trazirave masive e të organizuara që përfshijnë të gjithë shoqërinë iraniane.