Monday, February 6, 2023

Grupet terroriste lavdërojnë ekstravagancën e Soleimani-t në dhurimin e dollarëve

3 janari shënon një-vjetorin e vdekjes së ish-komandantit të Forcave Quds të Korpusit Revolucionar Islamik (IRGC). Për ta lavdëruar Qasem Soleimani-n dhe për të theksuar imazhin e tij si “hero” për grupet proksi të Iranit, organizatat terroriste në Liban e Palestinë po ua bëjnë të ditur ndjekësve të tyre se sa shumë do t’u mungojë ky person.

Më 27 dhjetor, një anëtar i lartë i grupit terrorist palestinez Hamas tha për Arab TV të regjimit iranian se Soleimani i kishte dhënë atij dhe shoqëruesve të tij $22 milion kesh.

Mahmoud Al-Zahar tha për Al-Alam se në takimin e tij të parë e të fundit me Soleimani-n në Teheran në 2006-ën, kishte kërkuar para dhe kërkesa i ishte plotësuar “me shpejtësi.”

“Vendimi u mor shpejt. Duhej të udhëtoja të nesërmen. Në aeroport, pashë disa çanta me 22 milion dollarë. Marrëveshja jonë me Soleimani-n ishte për më shumë se kaq, por ngaqë ishim vetëm nëntë veta, nuk mund të mbanim një shumë më të madhe. Secila prej çantave mund të mbante 40kg,” tha ai.

Al-Zahar është një nga bashkë-themeluesit e Hamas dhe anëtar i udhëheqjes së Hamas në Rripin e Gazës.

Kjo nuk është hera e parë që ndihmat financiare dhe logjistike të Iranit për Hamas bëjnë bujë në media.

Vitin e shkuar, Sami Abu Ayadah, kryetar i “Komitetit të Dëshmorëve” në Shoqatën e Bamirësisë al-Ansar, pati thënë se Irani u kishte dhënë ndihmë financiare çdo tre muaj 9,000 familjeve të dëshmorëve palestinezë (7,000 në Rripin e Gazës dhe 2,000 në Bregun Perëndimor).

Abu Ayadah tha se Shoqata e Bamirësisë al-Ansar, e cila përdoret nga regjimi iranian për të paguar anëtarët e Hamas, “ofron ndihmë financiare prej $600 çdo tre muaj për familjen e një dëshmori që ka qenë i martuar, dhe $300 për familjen e një dëshmori të pamartuar.”

Në po atë ditë, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollah, një grup terrorist libanez i themeluar nga regjimi iranian, e lavdëroi gjithashtu Soleimani-n për “mbështetjen e tij logjistike” në drejtim të Hamas dhe tha se ai nuk kishte njohur “asnjë vijë të kuqe” në dërgimin e raketave 9M133 Kornet në Gaza për Hamas dhe për Jahad-in Islamik.

Hassan Nasrallah ka thënë për kanalin e lajmeve pro-Hezbollah, Al Mayadeen, se komandanti i vdekur i Forcave Quds e ka ndihmuar financiarisht grupin terrorist libanez “në mënyrë të papritur dhe në prapaskenë”.