Saturday, January 28, 2023

Dënimi për Terrorizëm i Diplomatit Iranian Është i Sigurtë, por Çështjet e Lidhura me Të Mbeten Ende të Pazgjidhura

Asadollah Assadi, një diplomat terrorist i regjimit iranian, po gjykohet në Belgjikë për akuza terrorizmi

U raportua javën e shkuar se Assadollah Assadi, diplomati iranian që orkestroi komplotin terrorist në zemër të Europës tre vjet më parë, nuk do ta apelojë dënimin e marrë në shkurt. Assadi është ndjekur penalisht së bashku me tre bashkë-konspiratorë të tij në një gjykatë federale belge dhe ka marrë dënimin më të gjatë me burg nga të katër të dënuarit, dënim me 20 vite.

Që në fillim të hetimeve mbi veprimtaritë e Assadi-t, ai dhe eprorët e tij në Teheran kanë argumentuar se duhej t’i ishte dhënë imunitet diplomatik mbi bazën e pozicionit të tij, pavarësisht seriozitetit të çështjes kundër tij. Në asnjë çast, ata nuk i kanë kundërshtuar hapur detajet e kësaj çështjeje, të cilat përfshijnë një raport që tregon se si ai ka siguruar lëndë të fuqishme plasëse nga Irani, e ka transportuar fshehtazi në Europë me anë të një avioni pasagjerësh duke përdorur një çantë diplomatike, dhe pastaj ua ka dorëzuar një çifti iraniano-belg me detyrën për ta çuar bombën në tubimin e përvitshëm të mërgimtarëve iranianë që po zhvillohej jashtë Parisit nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit.

Raportohet se Assadi i kishte udhëzuar bashkë-konspiratorët e tij që ta vendosnin bombën sa më afër Presidentes së NCRI-së, zonjës Maryam Rajavi, që të ishte e mundur. Rreth gjashtë muaj përpara tubimit të 30 qershorit 2018, Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei ia kishte atribuar publikisht rezistencës iraniane kryengritjen mbarëkombëtare që po zhvillohej në atë kohë. Ai kishte thënë specifikisht se Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) kishte “planifikuar për muaj të tërë” t’i popullarizonte slloganet anti-qeveritare dhe t’ua ndryshonte drejtimin protestave fillestare, të cilat kishin fillimisht një fokus ekskluzivisht ekonomik, e t’i çonte drejt thirrjeve të hapura për ndryshim regjimi dhe qeverisje demokratike.

Shqetësimet lidhur me këtë rritje të ndikimit të MEK dhe NCRI me sa duket nxitën një rritje të përgjithshme në veprimtaritë terroriste me në shënjestër aktivistët e këtij koalicioni dhe personat e lidhur me të jashtë Iranit. Komploti terrorist i Parisit u parapri në mars 2018 nga një tentativë për të shpërthyer një bombë me anë të një kamioni në tubimin e MEK në Shqipëri, me rastin e Vitit të Ri pers. Për më tepër, në gusht të po atij viti, u ngritën akuza kundër dy shtetasve iranianë në Shtetet e Bashkuara për survejim mbi aktivistët e MEK dhe kritikues të tjerë të regjimit iranian, me sa duket për t’i paraprirë komploteve terroriste e tentativave të tjera për vrasje.