Më shumë se 60 të burgosur u vranë ose u plagosën në burgun Evin – disa të burgosur u transferuan në burgun e Gohardashtit dhe në vende të panjohura
Sipas raporteve të dëshmitarëve okularë nga brenda burgut, mbrëmjen e së shtunës, më 15 tetor, të burgosurit e reparteve 7 dhe 8, të cilët ishin në zonën e rekreacionit, brohoritën slogane në mbështetje të kryengritjes mbarëkombëtare, duke përfshirë “Vdekje Khamenei” dhe praktikisht e kthyen burgun e Evinit në një bazë rezistence. Gardianët specialë hynë në burg dhe sulmuan të burgosurit e pambrojtur me gaz lotsjellës, shkopinj dhe duke gjuajtur plumba dhe fishekë.
Rreth 50 të burgosur u arrestuan nga reparti 8, me tetë dhoma ku mbahen të burgosurit politikë. Pesëmbëdhjetë prej tyre, të plagosur rëndë, u dërguan në klinikën e burgut. Sipas raportimeve, të tjerët janë dërguar në burgun e Gohardashtit dhe në vende të panjohura.
Të burgosurve në Repartin 7 iu desh të vinin zjarrin disa prej batanijeve të tyre për t’u përballur me efektet e gazit lotsjellës dhe mbytjen.
Gardianët e burgut filluan t’i rrihnin rëndë të burgosurit, gjë që çoi në një konflikt të ashpër mes tyre dhe të burgosurve politikë në repartin 8. Të burgosurit në tre dhoma të këtij reparti akuzoheshin se mbështesnin MEK-un.
Sipas një dëshmitari okular, rojet e burgut nxorën 11 mbështetës të MEK-ut nga Reparti 8 dhe i morën me vete, ndërsa hapën zjarr ndaj mbështetësve të tjerë të MEK-ut.
Disa nga të burgosurit që u qëlluan me fishekë të vërtetë janë:
– Mehdi Vafai
– Meitham Dehbanzadeh
– Hossein Keyhani
– Sepehr Emam Juma
– Reza Qalandari
– Seyyed Javad Seyyedi
Nga mesdita e së dielës, disa prej këtyre të burgosurve i kanë ende plumbat në bark dhe te këmbët. Disa prej të burgosurve u qëlluan me plumba të vërtetë në të dyja këmbët. Agjentët represivë i rrahën të burgosurit me shkopinj, grushta dhe shkelma edhe më pas qëlluan me fishekë mbi ta.
Sipas dëshmitarëve okularë, Reparti 7 mori flakë plotësisht dhe më shumë se 60 të burgosur u vranë ose u plagosën për shkak të municionit të vërtetë. Në burg u panë shumë predha të municionit të vërtetë.
Sipas një raportimi tjetër nga Reparti 4, kur gardianët hodhën gaz lotsjellës dhe filluan të qëllonin me revole, të burgosurit thyen derën dhe dolën nga reparti. Ky repart është vendi ku mbahen si të burgosurit ordinerë ashtu edhe ata politikë, duke përfshirë përkrahësit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).
Sipas dëshmitarëve okularë, brohoritjet e të burgosurve, përplasjet e tyre me gardianët dhe rrahjet e të burgosurve vazhduan deri në orën 01:30 (të dielën në mëngjes me orën lokale). Madje, të burgosurit i vunë flakën koshave të plehrave për të përballuar asfiksimin për shkak të gazrave që u lëshuan drejt tyre.
Nga ana tjetër, forcat e IRGC-së dhe agjentët e veshur civilë që hynë në Evin me armët e tyre rrethuan repartet dhe qëlluan sipas rastit për të mos lejuar që të burgosurit që kishin hipur në çati të iknin.
Në të njëjtën kohë, agjentët e regjimit shënjestruan me municion të vërtetë, fishekë dhe gaz lotsjellës shtëpitë aty pranë, banorët e të cilave brohoritnin parulla.
.
Reagimi i mbështetësve të Rezistencës Iraniane – Mitingje në qytete të ndryshme evropiane
Të shtunën në mbrëmje, më 15 tetor, grupe mbështetësish të NCRI në 13 qytete evropiane, duke përfshirë Berlinin, Stokholmin, Oslon, Hagën, Londrën, Brukselin, Romën, Dublinin, Bernën, Mynihun, Hamburgun, Frankfurtin dhe Vjenën mbajtën mitingje në mbështetje të të burgosurve jashtë ambasadave të regjimit, Ministrive të Jashtme dhe në vende të tjera.