SHBA Vë Sanksione mbi Agjencitë Hapësinore të Regjimit Iranian

396

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione mbi agjencinë hapësinore të regjimit iranian dhe dy organizata kërkimore të tij të martën, duke thënë se ato janë përdorur për të çuar përpara programin e raketave balistike të Teheranit.

Këto sanksione të Thesarit të SHBA-së kanë në shënjestër Agjencinë Hapësinore të Iranit, Qendrën e Kërkimeve Hapësinore të Iranit dhe Institutin e Kërkimit të Astronautikës, sipas një deklarate në uebsitin e tij.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë Iranin ta përdorë programin e tij hapësinor si mbulim për të çuar përpara programet e tij të raketave balistike,” tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Ai tha se tentativa e Iranit më 29 gusht për të testuar një mjet të lëshimit në hapësirë thekson “urgjencën e këtij kërcënimi.”

Një raketë iraniane shpërtheu në platformën e nisjes në Qendrën Hapësinore Imam Khomeini në veri të Iranit, përpara kohës së planifikuar të lëshimit, të enjten e shkuar. Ky shpërthim vjen pas tentativës së dështuar të regjimit iranian për të lëshuar një satelit në janar.

Këto sanksione, pjesë e një fushate disa-vjeçare presioni nga SHBA për të mos e lejuar regjimin iranian të ndërtojë armë bërthamore, janë të parat që vendosen mbi agjencitë hapësinore të Teheranit, sipas Departamentit të Shtetit.