Të premten, Shtetet e Bashkuara vunë sanksione mbi Bankën Qendrore dhe Fondin Kombëtar të Zhvillimit të regjimit iranian duke dhënë si shkak financimin e terrorizmit nga ana e këtyre të fundit, pas sulmit me raketa nga regjimi mbi objektet e naftës të Arabisë Saudite javën e shkuar.
Në një deklaratë më 20 shtator 2019, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Zyra e tij për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) ka marrë masa kundër Bankës Qendrore të Iranit (CBI), Fondit Kombëtar të Zhvillimit të Iranit (NDF), dhe Etemad Tejarate Pars Co. nën autoritetin e tij kundër terrorizmit, Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 13224.
“Banka Qendrore e Iranit i ka dhënë biliona dollarë Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Forcës Qods (IRGC-QF) dhe proksit të tij terrorist, Hizballah,” thotë Thesari në deklaratë.
“NDF i Iranit, i cili është fondi sovran i pasurisë së Iranit dhe në bordin e të cilit bëjnë pjesë presidenti i Iranit, ministri i naftës, dhe guvernatori i Bankës Qendrore, ka qenë një burim madhor i valutës së huaj dhe financimit për IRGC-QF dhe për Logjistikën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura (MODAFL) të Iranit.”
“Etemad Tejarate Pars, e etiketuar gjithashtu sot, është një kompani me bazë në Iran e cila përdoret për të fshehur transfertat financiare për blerjet ushtarake të MODAFL, duke përfshirë fondet që vijnë nga NDF.”
Në Shtëpinë e Bardhë të premten, Presidenti amerikan Donald Trump tha se sanksionet do të shkojnë “deri në majë.”
“Do të shihni disa gjëra që do të ndodhin por një faktor shumë i rëndësishëm është ajo që kemi bërë,” tha Presidenti Trump gjatë një takimi dypalësh me Kryeministrin australian Scott Morrison. “Sanksionet më të larta që janë vënë ndonjëherë mbi një shtet. Nuk e kemi bërë kurrë më parë në këtë nivel.”
Sekretari i Thesarit Steven T. Mnuchin tha: “Sulmi i pacipë i Iranit kundër Arabisë Saudite është i papranueshëm. Aksioni i Thesarit ka marrë në shënjestër një mekanizëm thelbësor financimi që regjimi iranian përdor për të mbështetur rrjetin e tij terrorist, duke përfshirë Forcën Qods, Hizballah, dhe militantë të tjerë që përhapin terror e destabilizojnë rajonin. Shtetet e Bashkuara do ta vazhdojnë fushatën e presionit maksimal kundër regjimit represiv të Iranit, i cili përpiqet ta realizojë agjendën e tij revolucionare me anë të agresionit rajonal ndërkohë që çon dëm të ardhurat që vendi merr nga nafta.”