Sunday, February 5, 2023

SHBA Fut në Listën e Zezë Forcat e Armatosura të Regjimit Iranian dhe Nëntë Zyrtarë të Lartë të Tij

Shkruar nga Mansoureh Galestan më 05 nëntor 2019.

Të hënën, Thesari i Shteteve të Bashkuara vuri sanksione mbi Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të regjimit iranian si dhe mbi nëntë individë “të cilët janë të emëruar ose kanë vepruar në interes të Ali Khamenei-t, Udhëheqësit Suprem të pazgjedhur të regjimit iranian, zyra e të cilit është përgjegjëse për zhvillimin e agjendës radikale të Iranit.”

Thesari tha në një deklaratë se Zyra e tij për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) e ka ndërmarrë këtë aksion për t’i “bllokuar fondet që rrjedhin në drejtim të një rrjeti të errët të këshilltarëve ushtarakë e të punëve të jashtme të Ali Khamenei-t, të cilët e kanë shtypur për dekada të tëra popullin iranian, kanë eksportuar terrorizëm, dhe kanë çuar përpara politika destabilizuese nëpër botë.” 

“Në mënyrë specifike, ky aksion ka në shënjestër të emëruarit nga Ali Khamenei në Zyrën e Liderit Suprem, Këshillin e Ekspediencës, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe në Drejtësi.”

“Ky aksion i Thesarit koinçidon me 40-vjetorin e kapjes së ambasadës amerikane në Teheran nga militantë iranianë, të cilët mbajtën peng mbi 50 amerikanë për 444 ditë.” 

“Sot Departamenti i Thesarit ka marrë në shënjestër zyrtarët e pazgjedhur që rrethojnë Liderin Suprem të Iranit, Ajatollahun Khamenei, dhe implementojnë politikat e tij destabilizuese,” tha Sekretari i Thesarit Steven T. Mnuchin. 

“Këta individë janë të lidhur me një gamë të gjerë sjelljesh malinje të regjimit, duke përfshirë bombat në Kazermat e Marinës Amerikane në Beirut në vitin 1983 dhe në Shoqatën e Përbashkët Izraelite Argjentinase në vitin 1994, si dhe torturimet, vrasjet jashtë-gjyqësore, dhe represionin ndaj civilëve. Ky aksion e kufizon më tej aftësinë e Liderit Suprem për ta ekzekutuar agjendën e tij të terrorit e shtypjes,” tha ai. 

“Ndërkohë që vendimi i regjimit iranian për t’i burgosur diplomatët tanë ka hedhur një hije 40-vjeçare mbi marrëdhëniet tona, Shtetet e Bashkuara e dinë se viktima që ka vuajtur më gjatë nga regjimi iranian është vetë populli iranian. Ne u urojmë atyre një të ardhme me një qeveri që t’i përfaqësojë vërtet dhe miqësi me popullin amerikan,” tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të hënën. 

 

Deklarata e Thesarit thekson rolin e Ebrahim Raisi-t në Komisionet e Vdekjes të 1988-ës, të cilat dënuan me vdekje mijëra të burgosur politikë.  

Masakra e 1988-ës rezultoi në vdekjen e rreth 30,000 të burgosurve politikë, shumica të lidhur me grupin kryesor të opozitës iraniane, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur ndryshe si Mujahedin-e-Khalq (MEK). 

Deklarata e Thesarit thotë:  

“Sot, OFAC ka etiketuar Ebrahim Raisi-n, kryegjyqtarin e Iranit, i cili u emërua nga Lideri Suprem në mars 2019. OFAC e ka etiketuar ish-kryegjyqtarin e Iranit, Sadegh Amoli Larijani, në janar 2018 sipas E.O. 13553, për mbikëqyrjen e tij administrative mbi ekzekutimet e individëve që kanë qenë minorenë në kohën e kryerjes së krimit, si dhe mbi torturimin dhe trajtime apo ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore apo poshtëruese ndaj të burgosurve në Iran, duke përfshirë amputime.” 

“Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Drejtësia e Iranit ka miratuar ekzekutimin e shtatë kundërvajtësve fëmijë vitin e shkuar, dhe të dy të tillëve deri tani në 2019-ën, pavarësisht faktit se ligjet e të drejtave njerëzore e ndalojnë dhënien e dënimit me vdekje për këdo që është nën moshën 18 vjeç. Aktualisht ka të paktën 90 kundërvajtës fëmijë që presin dënimin me vdekje në Iran.” 

“Përpara emërimit të tij si kryegjyqtar, Raisi ka shërbyer si prokuror i përgjithshëm i Teheranit mes viteve 1989 dhe 1994, zëvendës i parë i kryegjyqtarit nga viti 2004 deri në 2014-ën, dhe si prokuror i përgjithshëm i Iranit nga viti 2014 në 2016-ën.” 

“Më përpara, kur mbante rolin si zëvendës prokuror i përgjithshëm i Teheranit, Raisi mori pjesë në një të ashtu-quajtur ‘komision të vdekjes’ i cili dha urdhër për ekzekutimin jashtë-gjyqësor të mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën.” 

“Mojtaba Khamenei, djali i dytë i Liderit Suprem, ka bashkëpunuar ngusht me komandantin e Forcave Qods të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-QF) si dhe me Forcat e Rezistencës Basij (Basij) për të çuar përpara ambiciet destabilizuese të të atit në rajon dhe objektivat e tij shtypëse brenda vendit.”