Thursday, March 28, 2024

Samantha Power: Mbështetësit e Paktit me Iranin Janë Treguar të Butë Lidhur me Abuzimet Ndaj të Drejtave Njerëzore

 

Samantha Power, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë mandatit të dytë të Presidentit Barack Obama, ka thënë se mbështetësit e paktit bërthamor të 2015-ës me Iranin janë treguar të butë ndaj abuzimeve të regjimit me të drejtat njerëzore.

Ambasadorja Power shkruan në kujtimet e saj: “Fatkeqësisht, disa shtete ishin aq të kënaqura nga pakti bërthamor saqë menduan se ishte e panevojshme të nxirrnin një rezolutë të përvitshme të Asemblesë së Përgjithshme të OKB-së për të dënuar abuzimet e Iranit me të drejtat njerëzore”.

Ambasadorja Power nuk i identifikon vendet që donin ta flaknin tej dënimin e përvitshëm gjatë muajve pas nënshkrimit të marrëveshjes bëthamore në korrik 2015 nga Këshilli i Sigurisë. Por episodi përputhet me kritikat që janë bërë me kohë nga mbrojtësit e një politike agresive ndaj Iranit, të cilët kanë argumentuar se marrëveshja i ka bërë të dështojnë përpjekjet e Perëndimit për t’iu kundërvënë politikave të tjera agresive të Teheranit, në mënyrë që të mos e provokonin regjimin iranian ta braktiste marrëveshjen.

“Unë këmbëngula që të vazhdonim, duke lobuar me zjarr që të garantohej që trajtimi i përçmueshëm që qeveria iraniane i bën popullit të vet të merrte vëmendjen që meritonte,” shkruan Power në The Education of an Idealist (Arsimimi i një Idealisti).

Suksese të tilla ishin shumë të rralla, sipas kundërshtarëve kryesorë të marrëveshjes, të cilët argumentonin se pakti i kishte dhënë regjimit iranian paratë për të financuar një fushatë multi-kombëtare terrorizmi duke ua lidhur duart Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të Europës Perëndimore.