Thursday, March 28, 2024

Regjimi Iranian nuk do t’u Mbijetojë Sanksioneve Amerikane

 Publikuar më 21 nëntor 2018.

Nga Shahriar Kia

Nëse keni dyshime se a do t’i arrijnë sanksionet amerikane mbi regjimin iranian objektivat që dëshiron Donald Trump, atëherë mendohuni përsëri.

Ndërkohë që impakti i menjëhershëm i sanksioneve më të fundit, të cilat kanë në shënjestër industrinë iraniane të naftës e gazit mes të tjerash, ka mundësi të jetë minimal, efektet afat-gjata mund të jenë të konsiderueshme. Disa parashikojnë madje se këto sanksione mund ta bëjnë pothuajse të pamundur për Regjimin Iranian që ta ruajë prodhimin aktual të naftës.

Më 4 nëntor, SHBA rivendosi ndalimin mbi eksportet e naftës së regjimit iranian, gjë për të cilën Trump ishte betuar pasi u tërhoq nga pakti bërthamor me Iranin në maj. Në këtë marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, duke përfshirë SHBA-në, vendet ranë dakord që t’i hiqnin sanksionet ndërkombëtare mbi Regjimin në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor iranian; gjë që, sipas Trump, nuk ka ndodhur kurrë.

Disa kanë qenë skeptikë për të mirat që mund të sillnin sanksionet, sidomos pasi SHBA i bëri lëshime tetë prej konsumatorëve më të mëdhenj të energjisë së Iranit, duke përfshirë Kinën, Indinë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Turqinë.

Disa kanë spekuluar madje se një rënie në volumin e naftës së Iranit mund ta rrisë çmimin e naftës, gjë që mund të bëjë që të ardhurat e Iranit nga nafta të mbeten të njëjta. Fatmirësisht, shtytja që SHBA po i jep vendeve të tjera për ta rritur prodhimin e naftës do ta kompensojë këtë gjë me kalimin e kohës.

Të tjerë kanë cituar faktin se Bashkimi Europian dhe nënshkrues të tjerë të paktit me Iranin kanë rënë dakord që t’i qëndrojnë besnikë marrëveshjes, me mundësinë që një “mjet me qëllim të posaçëm” t’u shmanget sanksioneve amerikane, gjë që do t’i bënte sanksionet krejtësisht të padobishme.

Megjithatë, SPV (mjeti me qëllim të posaçëm) ka probleme të mëdha që nga fillimi, duke përfshirë faktin se askush nuk është i gatshëm t’i strehojë zyrat qendrore dhe se prapë se prapë do të ishte një shkelje e sanksioneve amerikane. Shumë kompani europiane e kanë kuptuar tashmë këtë dhe janë tërhequr nga Irani, duke përfshirë konglomeratin danez A.P. Moller-Maersk dhe gjigantin francez të energjisë, Total.

Edhe nëse Irani mund të përballet aktualisht me sanksionet, situata duket krejt ndryshe po të shohësh larg, sidomos kur prodhimi i fushave të naftës të bjerë, veçanërisht për shkak të llojit të teknikave që përdoren, dhe Iranit i mungon investimi për të zhvilluar më shumë teknika. Kështu që, në fund, sektori iranian i energjisë do të bëhet më i dobët.

Në fakt, Irani përdor tashmë mbi 50% të prodhimit të gazit të tij natyror brenda vendit, për sektorët e tij shtëpiak, tregtar, e të industrive të vogla, dhe konsumi atje vetëm sa rritet. Ndërsa 14% shkon për prodhimin e produkteve petrokimike për eksport, si etilen e propilen, të cilat janë materialet bazë për prodhimin e plastikave, fibrave, e kimikateve të tjera, dhe përbëjnë një pjesë të madhe të eksporteve jo të naftës nga Irani në Kinë.

Së shpejti, kjo gjë do ta detyrojë Regjimin Iranian të zgjedhë ndërmjet eksportimit të energjisë dhe, në kuptimin e plotë të fjalës, mbajtjes së dritave ndezur në shtëpi.