Regjimi Iranian Ekzekuton 2 Arabë nga Ahvazi të Cilët Ishin Torturuar për të Bërë Rrëfime të Rreme

454

 

Shkruar nga Mansoureh Galestan më 07 gusht 2019.

Regjimi iranian ka ekzekutuar dy anëtarë të minoritetit arab të Ahvazit, të cilët ishin kundërshtarë të regjimit.

Abdullah Karmollah Chab dhe Ghassem Abdullah, nga minoriteti arab i Ahvazit në Iran, u ekzekutuan në burgun Fajr në qytetin jug-perëndimor Dezful, sipas mediave shtetërore.

Ata u ekzekutuan të dielën më 4 gusht 2019, pas disa muajve torturë gjatë të së cilës të dy u detyruan të bënin rrëfime të rreme.

Agjensia zyrtare e lajmeve IRNA tha të dielën se këta dy persona ishin akuzuar për “armiqësi kundër Zotit” (moharebeh) në lidhje me një sulm të armatosur në tetor 2015, ku mbetën të vdekur dy njerëz. Megjithatë, dy të akuzuarit e kishin mohuar çdo përfshirje në këtë sulm.

Avokatët e tyre kishin thënë se nuk ka asnjë provë që i lidh ata me sulmin dhe kishin identifikuar papërputhshmëri mes “rrëfimeve” që çuan në dënimin e tyre dhe përshkrimeve të dëshmitarëve okularë që kanë qenë të pranishëm në skenën e krimit.

Më 19 tetor 2015, dy burrat u arrestuan nga Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) e regjimit dhe u mbajtën në izolim në një vendndodhje të panjohur për gjashtë muaj. Pastaj i kanë zhvendosur në disa qendra të ndryshme paraburgimi. Kontakti me familjet e tyre ka qenë jashtëzakonisht i kufizuar, përmes telefonatave jo të rregullta dhe vetëm një vizite.

Më 9 prill 2019, ata u transferuan në një qendër paraburgimi të MOIS-it në provincën Hamedan, ku u është mohuar kontakti me familjet.

Gjatë burgimit të tij, Abdullah i kishte thënë familjes së tij se agjentët e regjimit që e kishin marrë në pyetje e kishin torturuar fizikisht dhe psikologjikisht, si për shembull duke e varur përmbys nga këmbët e duke e rrahur, si dhe duke u shtirur se do ta ekzekutonin, duke i thënë se do ta varrosnin në një varr të pashënuar në një “varrezë pa tabela treguese”.

Për tre ditë, i ka thënë ai familjes, agjentët e regjimit e kishin zgjuar nga gjumi duke ia mbuluar kokën me thes sikur do ta çonin për ta ekzekutuar, duke i thënë se nëse “rrëfente”, nuk do ta ekzekutonin. Ai i kishte refuzuar këto përpjekje shantazhi, duke këmbëngulur se ishte i pafajshëm dhe nuk kishte kryer asnjë krim.

Ditën e tretë, ai tha se kishte dëgjuar njërin prej agjentëve duke thënë: “Ta lëmë të ikë. Po të kishte patur ndonjë gjë për të rrëfyer do ta kishte bërë tashmë.”

Asnjëri nga dy burrat nuk ishte lejuar të merrte avokat, madje as gjatë gjyqeve të tyre ku ishin përfaqësuar nga një avokat mbrojtës i caktuar nga shteti.

Gjatë gjykimit të tyre përpara Gjykatës Revolucionare në Ahvaz më 22 qershor 2016, raportohet se ata kanë hequr disa rroba për t’ia treguar gjykatës shenjat e torturës në trup.

Megjithatë, nuk u dha urdhër për asnjë hetim. Gjykata Supreme e regjimit iranian më vonë e anulloi akuzën dhe dënimin e tyre për shkak të mungesës së provave dhe hetimeve të mangëta, dhe dha urdhër për një rigjykim. Më 6 korrik 2017, ata u dënuan sërish me vdekje.

Në maj 2019, Amnesty International i bëri thirrje regjimit iranian që “t’i lirojë ata deri sa të ketë prova të mjaftueshme, jo të marra me anë të torturës apo keq-trajtimeve të tjera, për t’i akuzuar ata për një vepër penale të njohur,” dhe “t’u ofrojë një gjykim të drejtë, pa opsionin e dënimit me vdekje.”