
Regjimi iranian vazhdon të prodhojë materiale që mund të përdoren për bomba bërthamore, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të Kombeve të Bashkuara. IAEA i ka zbuluar këto gjetje në një raport të publikuar të martën, dhe tregon se regjimi iranian po bën përparime alarmuese për sa i përket ambicieve të tij bërthamore.
Në këtë raport, Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se inspektorët e tij kishin konfirmuar që Teherani ka prodhuar 200 gramë metal uraniumi të pasuruar deri në 20 përqind.
Në shkurt, inspektorët e IAEA-së patën konfirmuar se regjimi kishte prodhuar 3.6 gramë metal uraniumi në kompleksin bërthamor të Isfahanit. Regjimi pretendon se i duhet uraniumi i pasuruar në nivel të lartë për qëllime civile. Por anëtarët europianë të paktit bërthamor të 2015-ës, i njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), kanë shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me prodhimin e metalit të uraniumit dhe thonë se Teherani nuk ka asnjë nevojë civile për të. Ata e kanë përshkruar këtë lëvizje si një “hap kyç drejt zhvillimit të një arme bërthamore.”





