Protestat e Irakut (Credit: AP)
Analizë nga PMOI/MEK
Irak, 21 janar 2020—Që nga 19 janari, demonstratat kundër sistemit të korruptuar në pushtet në Irak kanë hedhur një hap të ri.
Irakenët, sidomos në provincat jugore të vendit, po i vënë zjarrin posterave të Qassem Soleimani dhe Abu Mahdi al-Muhandis, dy mjeshtërve terroristë të cilët u vranë nga një sulm amerikan me dron më 3 janar. Protestuesit në Najaf u kanë vënë zjarrin edhe zyrave qendrore të Kata’ib Hezbollah, një grup militant i mbështetur nga Irani, i cili ka kryer krime të shumta në Irak. Në Hellah dhe Nasiriya, protestuesit i kanë bllokuar rrugët kryesore. Në Bagdad, ata kanë rezistuar kundër sulmeve të forcave represive të sigurisë.
Protestuesit i kishin vënë një ultimatum qeverisë që, nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin deri më 18 janar, ata do të hynin në një fazë të re mosbindjeje civile në mbarë vendin dhe do t’i bllokonin autostradat dhe hyrjet kryesore për në Bagdad. Në mungesë të një përgjigjeje të duhur nga qeveria, populli dhe rinia e Irakut e realizuan kërcënimin e tyre të hënën, më 20 janar, në Bagdad e qytete të tjera. Në disa vende, demonstruesit u përplasën me forcat e sigurisë, gjë që rezultoi në plagosjen dhe vdekjen e disa protestuesve.
Protestat vazhduan të martën pasi organizuesit e kryengritjes deklaruan se nuk do të mbështesnin një kandidat të ri për kryeministër i cili është vetë i përfshirë në korrupsion qeveritar. Protestuesit në Bagdad morën nën kontroll autostradën Mohammed Ghassem si dhe sheshe të mëdha të qytetit, përfshirë al-Tahrir, al-Khalani, al-Gilani, dhe al-Tayran. Në disa zona, protestuesit rezistuan ndaj forcave të sigurisë dhe i detyruan ato të tërhiqeshin.