Saturday, July 27, 2024

Raport i Veçantë: Konferencë Ndërkombëtare me Rastin e Ramazanit, që Synon për Solidarizim, Devotshmëri dhe Vëllazëri

Të hënën, më 4 prill, me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, i parë nga myslimanët në mbarë botën si muaj agjërimi, lutjeje, reflektimi dhe bashkimi, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit organizoi konferencën me titull “Të Bashkuar Kundër Fondamentalizmit dhe Nxitjes së Luftës, Për Paqe dhe Vëllazëri”, në selinë e saj në Auvers-sur-Oise, në periferi të Parisit, Francë.

Mijëra anëtarë të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) banues në Ashraf-3 të Shqipërisë, iu bashkuan konferencës online.

Një gamë e gjerë liderësh politikë, socialë, dijetarë dhe fetarë nga vende të ndryshme myslimane, duke përfshirë Jordaninë, Koalicionin e Opozitës Siriane, Algjerinë, Tunizinë, Kuvajtin, Irakun, Jemenin dhe Palestinën, iu bashkuan udhëheqësve francezë të komunitetit mysliman, të krishterë dhe hebre dhe morën pjesë në konferencë.

Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, Kira Rudik, anëtare e parlamentit dhe udhëheqëse e Partisë Golos, si dhe ish-ministri i ekonomisë dhe këshilltari presidencial Tymofiy Mylovanov, morën pjesë në konferencë dhe mbajtën fjalime prekëse.

Image

Si folëse kryesore e eventit, Presidentja e zgjedhur e NCRI, znj. Maryam Rajavi, e hapi

fjalimin e saj duke folur për frymën e vërtetë të Ramazanit, ku myslimanët shmangin dëshirat e natyrshme instinktive dhe praktikojnë vetëpërmbajtje dhe disiplinë për të fituar ndërgjegjësim dhe vetëdije të vazhdueshme, gjë që përmblidhet në një fjalë, devotshmëri ose në terma kuranorë, Takua. Parime që u sollën dhe u mësuan nga Profeti Muhamed (a.s.) për të rritur paqen, vëllazërinë dhe prosperitetin mes njerëzve.

“Nëse agjërimi kufizohet në të përmbajturit nga të ngrënët dhe të pirët për disa orë, dhe nëse nuk zgjon ndërgjegjen e shoqërisë për t’u rebeluar kundër shtypjes, varfërisë dhe urisë, nuk do të arrinte objektivin e tij,” tha zonja Rajavi. “Pra, si munden ata që agjërojnë të qëndrojnë të heshtur dhe ambivalent përballë teokracisë sunduese që po shkatërron pasurinë dhe popullin e Iranit dhe që është mishërimi i padrejtësisë, plaçkitjes dhe korrupsionit?”

Duke kujtuar politikat çnjerëzore të përcaktuara nga klerikët në pushtet në Iran, ajo shtoi: “Vitin e kaluar, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Iran kaloi gjysmë milioni. Sikur Khamenei të mos e kishte hapur qëllimisht rrugën për përhapjen e sëmundjes dhe sikur të kishte shpenzuar një pjesë të pasurisë prej 1 trilion dollarësh të fondacioneve të tij grabitqare për të kontrolluar Covid-19, numri i vdekjeve në Iran do të kishte qenë disa herë më i ulët.

Duke ofruar statistika tronditëse mbi një mori problemesh që mundojnë shoqërinë iraniane, përfshirë rritjen e varfërisë absolute, rritjen e numrit të vetëvrasjeve, shitjen e pjesëve të trupit, shitjen e të porsalindurve, kequshqyerjen, punën e fëmijëve, të pastrehët dhe numrin shqetësues të njerëzve pa kujdes shëndetësor, znj. Rajavi vuri në dukje: “Krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Lindjes së Mesme, Irani ka numrin më të madh të miliarderëve, të cilët, direkt apo indirekt, përfitojnë nga lidhja e tyre me Khamenein… Ai i detyron njerëzit të punojnë pa pagesë dhe e ka kthyer fuqinë punëtore të Iranit në më të lirën në botë. Ai i lë shumicën dërrmuese të njerëzve të vdesin nga uria dhe plaçkit pasurinë dhe pronat publike, i çon të sëmurët drejt vdekjes dhe dëbon njerëzit nga shtëpitë e tyre.”

Duke recituar vargje të ndryshme të Kuranit që paralajmërojnë se si lakmia dhe plaçkitja e fëmijëve të Zotit ngjall zemërimin e tij, Presidentja e zgjedhur e NCRI tha: “Përmbushja e zotimeve ndaj Zotit dhe njerëzve në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të shtypurve dhe arritjen e lirisë, drejtësisë dhe barazisë është akti më i madh i devotshmërisë në kohën tonë. Kjo shpjegon pse Muxhahedinët e Popullit kanë pesë dekada që po zhvillojnë luftë kundër Shahut dhe mullahëve. Për tridhjetë vjet, ata kanë hequr dorë nga shtëpitë dhe familjet e tyre për të zhvilluar një betejë të pamëshirshme kundër seksizmit dhe individualizmit vetëlavdërues. Ata e kanë përqafuar këtë provë të madhe të devotshmërisë në kohën tonë për të përmbysur fashizmin fetar në pushtet dhe për të vendosur lirinë dhe sovranitetin popullor”.

“Situata shpërthyese e Iranit fuqizon forcat e kryengritjes dhe anëtarët trima të Njësive të Rezistencës,” tha zonja Rajavi, duke parashikuar rrugën që kanë përpara. “Pa dyshim, tirania fetare, e dështuar në të gjitha sferat intelektuale dhe ideologjike, nuk do të mbijetojë përballë kësaj force gjigante, Njësive të Rezistencës dhe Ushtrisë së madhe të Lirisë. Dhe kështu do të vendoset fati i popullit iranian”, theksoi ajo.

“Regjimi iranian po i shkakton vazhdimisht dhimbje popullit të Palestinës, ndërkohë që pretendon se po i qëndron pranë”, tha në takim ish-kryetari i drejtësisë palestineze Sheikh Taisir Al-Tamimi. “Ne qëndrojmë përkrah rezistencës iraniane për të çliruar popullin e Iranit nga kthetrat e këtij regjimi. Ky regjim abuzon me Islamin dhe pretendon se është aleat i vendeve islamike. Ai vret pa dallim njerëzit në rajon dhe përhap luftën. Prandaj, është përgjegjësi e të gjithë njerëzve të rajonit që të ngrihen kundër këtij regjimi.”

Deputetja ukrainase dhe liderja e Partisë Politike Golos, Kira Rudik tha: “Unë dua që çdo kriminel lufte të ndiqet penalisht. Kam dëgjuar për atë që ju ka ndodhur në Ashraf dhe dua t’ju them se tani e di se çfarë keni kaluar. Ajo që po i ndodh Ukrainës nuk mund të harrohet. Po i flas të gjithë liderëve dhe organizatave botërore. Ju duhet të veproni tani. Dyzet ditë janë mjaftueshëm. Duhet të dini se ku janë vijat e kuqe. Ka qytete të vogla si Bucha, ku fëmijët po vriten dhe gratë po përdhunohen. Kjo duhet të ndalohet. Ne duam t’i japim fund kësaj lufte dhe gjërave të tmerrshme që po shohim. Dëshiroj t’ju falënderoj dhe të ndaj dhimbjen që po kalon kombi juaj.”

Tymofiy Mylovanov, Ministri ukrainas i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë (2019-2020) dhe këshilltar i Kreut të Zyrës Presidenciale, vuri në dukje: “Tirania mund të luftohet vetëm kur të gjitha kombet të bashkohen dhe të luftojnë së bashku. Deri në momentin që filluan bombardimet në Kiev, dhe pashë familje të masakruara, nuk e kuptoja gjendjen e vështirë të kombeve të tjera. Ajo që mësojmë sot është se nuk ka kufij kur bëhet fjalë për të luftuar tiraninë. Nëse dal nga kjo situatë, do të fokusohem më shumë se vetëm te Ukraina. Unë do të kujdesem për popullin tuaj, për popullin e Sirisë, Gjeorgjisë dhe Afganistanit. Kjo është një sëmundje dhe duhet ndalur.”

“Opozita në Irak po përpiqet të çlirojë Bagdadin nga kthetrat e Gardës Revolucionare të regjimit iranian, të cilët po shkatërrojnë Iranin dhe popullin e tij, tha në takim Aiham Alsammarae- ish-ministri i Elektricitetit i Irakut. “Ne jemi me ju dhe me luftën tuaj dhe ju urojmë fitore. Fitorja juaj është edhe e jona. Irani duhet të lirohet dhe t’i kthehet popullit të tij.”

Ahmed Jarallah- gazetar kuvajtian, kryeredaktor i kuvajtianes Al-Seyassah dhe Arab Times tha: “Njerëzit në mbarë botën janë dëshmitarë të aktiviteteve të zonjës Rajavi për t’i dhënë fund këtij regjimi, regjim i cili ka shkaktuar vuajtje për popullin e Iranit, popullin e botës arabe dhe të mbarë globit. Shpresoj që në Ramazanin e ardhshëm ta keni përmbysur këtë regjim.”

Ish-kreu i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Irak (UNAMI) dhe këshilltari i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP) në Irak, Tahar Boumedra tha: “Banorët e Ashrafit u vranë, të privuar nga shërbimet mjekësore, por askush nuk fliste për to. AP, Reuters… shtypi heshti. Njerëzit në Ashraf u vranë në heshtje, ata ishin të pambrojtur. Banorët e Ashrafit luftuan shumë. Ata rezistuan dhe rezistenca e tyre dha rezultat. U hapi atyre rrugë që të dilnin nga ferri i Irakut dhe të shkonin në Shqipëri për të filluar jetën e tyre në Ashraf 3”.

“Të gjitha këto kujtime tregojnë se kur njerëzit e duan lirinë, ata sakrifikojnë për të dhe e arrijnë,” shtoi z. Boumedra. “Ju keni bërë një rrugë të gjatë në luftën dhe në rezistencën tuaj për të kthyer situatën. Tani keni status ndërkombëtar. Po arrini fitore çdo ditë. Dhe me mençurinë dhe guximin e udhëheqjes suaj, sigurisht që do të arrini më shumë fitore. Është e sigurt se do t’i nxirrni para drejtësisë ata që ju persekutuan. Procesi tashmë ka filluar. Një nga autorët e masakrës së të burgosurve politikë në vitin 1988 po gjykohet tashmë para një gjykate suedeze. Ky është fillimi. Më shumë gjyqe do të vijnë së shpejti. Ju jeni një lëvizje rezistence që nuk do të dorëzohet. Ajo jo vetëm do të sigurojë fitoren, por edhe do të nxjerre para drejtësisë autorët e krimeve”.

Rabini Moshe Levin, Zëvendës Kryerabini nga Franca tha: “Për shumë vite, kam qenë dëshmitar i luftës suaj për paqe dhe barazi në rajon. Të gjitha fetë respektojnë ndarjen e shtetit nga feja dhe unë uroj paqe për të gjithë njerëzit në mbarë botën.”

“Populli i Sirisë qëndron krah për krah me popullin e Iranit kundër regjimit. Regjimi i Iranit gjithmonë ka eksportuar terrorizëm dhe fondamentalizëm në mbarë botën. Populli i Sirisë ka vuajtur shumë në duart e regjimit iranian dhe përfaqësuesve të tij në Siri. Populli ynë ka vuajtur shumë për shkak të mizorive që ata kanë kryer në vendet tona. Për fat të keq, komuniteti ndërkombëtar i ka mbyllur sytë ndaj asaj që po ndodh në vendin tim”, vuri në dukje Salem Al-Meslet, Kryetar i Koalicionit Sirian.

“Ne jemi në krahun tuaj, në krah të atyre që qëndrojnë kundër regjimit terrorist të Iranit,” nënvizoi Ahmad Al-Mosabli, Këshilltar i Ministrit të Punëve Publike të Jemenit. “Dëshirat tona janë të njëjta, të heqim qafe armikun tonë të përbashkët. Kjo është arsyeja pse ne ju mbështesim dhe ju na mbështesni. Milicitë e mbështetura nga Irani po i shkaktojnë vuajtje dhe dhimbje popullit tonë. Ne duam ta çlirojmë popullin nga ky armik i përbashkët. Jam i sigurt se fitorja është e arritshme. Nëse milicitë iraniane në Jemen mposhten, mullahët në Qom dhe Teheran do të rrëzohen. Ne marrim energji nga ju dhe aktivitetet tuaja në Iran. Liria nuk i jepet askujt. Ju duhet ta merrni atë.”

Deputeti jordanez Ahmad al-Khalayeleh tha: “Populli i Jordanisë dhe Iranit janë vëllezër. Shpresoj që vëllazëria dhe miqësia jonë të vazhdojë dhe herën tjetër që do të takohemi, ta keni arritur qëllimin tuaj dhe zonja Rajavi ta ketë realizuar planin prej dhjetë pikash për Iranin. Shpresojmë që së shpejti ky regjim do rrëzohet dhe ne në botën arabe do çlirohemi nga ndërhyrja e tij në shtetet tona”.

Kryetari i Komitetit të Feve dhe Denominimeve të NCRI-së, Jalal Ganjei, vuri në dukje: “Mbështetja për Rezistencën Iraniane dërgon një mesazh të rëndësishëm për botën. Myslimanët kanë nevojë për një interpretim të ri të Islamit, i cili ekspozon fondamentalizmin që po predikohet nën emrin e tij. Mbështetja e një gruaje myslimane që mbron barazinë midis të gjitha feve, dhe në veçanti, barazinë midis burrave dhe grave, është një alternativë e rëndësishme ndaj fondamentalizmit të mullahëve që sundojnë Iranin.

“Njerëzit në Iran dhe në vendet e tjera duhet të bashkohen,” tha Cheikh Dhaou Meskine, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Imamëve të Francës. “Irani duhet të luajë rolin e tij në komunitetin ndërkombëtar dhe të marrë pozicionin që meriton në botë. Populli i Iranit dhe bota kanë nevojë për ju, zonja Rajavi. Ne duhet të qëndrojmë dhe të luftojmë në krahun tuaj kundër diktaturës që sundon Iranin. Ky regjim është një regjim terrorist. Kurani është kundër diktaturës dhe sundimit të një personi.”

“Ka 42 vjet që masakra vazhdon në Iran,” u ankua Khalil Merroun, Drejtor i Xhamisë së Madhe të Avery në Paris. “Unë nuk jam iranian, por urrej të shoh keqpërdorimin e fesë sime për këto lloj aktivitetesh. Duke çliruar Iranin, ne do të çlirojmë Islamin. Duhet të bëjmë përpjekjet tona për ta realizuar këtë liri sa më shpejt të jetë e mundur. Regjimi ka falsifikuar Islamin.”

Jacques Gaillot, një klerik i njohur francez dhe aktivist social tha në takim: “Shumë iranianë janë ngritur dhe po luftojnë për të drejtat e tyre. Ëndrra e tyre do ta lejojë Iranin të heqë qafe mullahët dhe të bëhet një komb i lirë.”

“Kurani thotë se nëse vret një person, ke vrarë njerëzimin”, tha Sadek Abrous, President i Këshillit Rajonal të Myslimanëve të rajonit Ile-de-France. “Kjo është ajo që bën regjimi iranian. Regjimi iranian po e vjedh popullin. Ai promovon terrorizëm dhe dhunë në rajon. Kur luftoni kundër këtij regjimi, ju mbroni besimet tona. Ju uroj suksese në luftën tuaj për të përmbysur regjimin iranian.”