Pse masat represive nuk do ta shpëtojnë regjimin e Iranit

784

Iranian security forcesRegjimi i Iranit i ka rritur masat represive në muajt e fundit.

Muajt e fundit është parë një rritje alarmante e numrit të ekzekutimeve në Iran, gjë e cila pritej me presidencën e Ebrahim Raisi-t, një njeri që në Iran njihet si “kasapi” për shkak të rolit kryesor që luajti në masakrën e 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.

Sipas Javaid Rehman, Raportuesit Special të OKB-së mbi Situatën e Të Drejtave të Njeriut në Iran, regjimi klerikal kreu të paktën 275 ekzekutime në vitin 2021. Në të njëjtën kohë, është rritur edhe numri i vdekjeve në burgjet e Iranit. Autoritetet po ushtrojnë presion mbi të burgosurit duke u mohuar kujdesin shëndetësor, duke i privuar nga lehtësirat bazë, e të tjera.

Ndërkohë, forcat e sigurisë kanë shtuar represionin e tyre ndaj popullatës, duke arrestuar protestues, duke poshtëruar të rinjtë në publik dhe duke shkatërruar shtëpitë e njerëzve të varfër dhe tezgat e shitësve ambulantë.

Kohët e fundit, regjimi po arreston dhe ndjek penalisht personat që morën pjesë në protestat e nëntorit 2019 dhe familjarët e tyre. Dhe në lëvizjen e tij më të fundit drejt shtypjes së lirisë, regjimi ka bërë hapin e parë për censurimin total të internetit dhe shërbimeve online.

Është e qartë se rritja e dhunës dhe represionit pasqyron paaftësinë e regjimit për të adresuar nevojat themelore të popullit dhe shoqërisë.

E vërteta është se regjimi është bllokuar në disa fronte, një fakt të cilin po e pranojnë edhe mediat shtetërore. Ekonomia e Iranit është në gjendjen e saj më të keqe që kur mullahët morën pushtetin në vitin 1979.

Në frontin bërthamor, regjimi është në një ngërç. Nga njëra anë, ka dëshpërimisht nevojë për lehtësimin e sanksioneve, ndërsa nga ana tjetër, nuk ka hapësirë për të bërë lëshime mbi programin e saj bërthamor.

Në të njëjtën kohë, ndikimi i regjimit në Lindjen e Mesme po zbehet pasi po përballet me rritje të rezistencës nga miliona njerëz që janë të lodhur nga ndërhyrja e Teheranit në vendin e tyre.

Dhe më e rëndësishmja, regjimi është i tmerruar nga shoqëria e trazuar e Iranit dhe nga fuqia në rritje e Rezistencës Iraniane. Njësitë e Rezistencës, rrjeti i aktivistëve të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) brenda Iranit, kanë shtuar aktivitetet e tyre në muajt e fundit, duke shkaktuar shqetësim dhe frikë tek zyrtarët dhe udhëheqësit e regjimit.

Protestat po bëhen më të shpeshta, më të mëdha dhe më të organizuara. Fermerë, mësues, punëtorë, infermierë, pensionistë dhe njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe segmentet e shoqërisë po organizojnë lëvizje protestuese dhe sloganet e tyre po marrin çdo ditë e më shumë natyrë politike duke iu drejtuar krerëve të korruptuar të shtetit. Një shembull i qartë ishin protestat më të fundit të mësuesve, në të cilat ata iu drejtuan Ebrahim Raisi-t dhe Kryetarit të Majlis-it, Mohammad Bagher Ghalibaf, duke thirrur: “Raisi, Ghalibaf! Ky është paralajmërimi i fundit, lëvizja e mësuesve është gati për kryengritje”.

Ndërkohë, po dëshmojmë një metamorfozë në strukturën e shoqërisë iraniane. Shtresa e mesme, shtylla kurrizore e shoqërisë, pothuajse është zhdukur krejtësisht dhe është bashkuar me segmentet e varfëra të popullsisë, prandaj protestave u janë bashkuar edhe mësuesit, mjekët, praktikantët mjekësorë dhe infermierët.

Iran: Teachers hold protests in dozens of cities

Në rrethana të tilla, nuk është çudi që regjimi ka shtuar masat e tij represive. Por dhuna dhe represioni, mjetet kryesore që regjimi ka përdorur për të ruajtur pushtetin e vet në katër dekadat e fundit, po e humbasin me shpejtësi efikasitetin e tyre. Kjo shpjegon pse protestat vazhdojnë të rriten në numër dhe përmasa. Dhe paqëndrueshmëria e regjimit po bëhet më e dukshme teksa zyrtarët vazhdojnë të grinden mes tyre për mënyrën se si ta vënë nën kontroll shoqërinë

Gjatë debateve të kohëve të fundit në Majlis mbi projektligjin për censurën e internetit, një deputet paralajmëroi se me ratifikimin e projektligjit, “Do të shkatërroni Majlis-in dhe do të acaroni shoqërinë”. Një tjetër deputet tha: “Pse po përpiqemi të shkatërrojmë veten.” Ndërkohë, të tjerë paralajmëruan se nëse interneti nuk kontrollohet, MEK “do të shkatërrojë qeverinë dhe Majlis-in.” Disa të tjerë paralajmëruan për trazimin në rritje të shoqërisë iraniane dhe për praninë e forcave të sigurisë në çdo cep. Gazeta shtetërore Mardom Salari vërejti, “Frika nga populli dhe budallallëku ekstrem po e manifestojnë veten në kundërvënien ndaj internetit.”