Tuesday, January 31, 2023

Pse Irani ka kapur një anije që transportonte naftën e vet?

Më 4 nëntor, televizioni shtetëror i Iranit pretendoi se Marina e Gardës Revolucionare (IRGC) nuk lejoi Shtetet e Bashkuara të “grabitnin”  një cisternë nafte iraniane në Detin e Omanit. “Për shkak të veprimit në kohë dhe me vendosmëri të forcave detare të Gardës, operacioni i marinës terroriste të SHBA për të grabitur naftën iraniane në Detin e Omanit dështoi”, thuhet në deklaratën e Forcave Speciale të IRGC-së, siç raportohet nga televizioni shtetëror i Iranit.

Kjo deklaratë u hodh poshtë nga Pentagoni, i cili e quajti atë një “pretendim fals”. “I kam parë deklaratat iraniane. Ato janë absolutisht, krejtësisht të rreme dhe të pavërteta. Është një pretendim fals”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Regjimi, në fakt, kishte kapur një cisternë nafte me flamur vietnamez në tetor. Dy anije të marinës amerikane, të mbështetura edhe nga ajri, kishin monitoruar situatën, por nuk u përpoqën ta pengonin anijen. Anija është identifikuar si “Southys”.

Sipas faqes Tanker Trackers, Southys “u përpoq të dërgonte 700,000 fuçi naftë bruto iraniane në Kinë, por u refuzua. SOTHYS më pas lundroi deri në Iran dhe hodhi spirancën në Bandar Abbas. Dje ajo u zhvendos në ngushticën e Hormuzit.”

Pse do ta sulmonin dhe kapnin forcat e IRGC-së një anije që po çonte naftën e tyre për eksport në mënyrë klandestine drejt Azisë? Shfaqja e “dhënies së një mësimi për arrogancën globale” vjen përpara raundeve të reja të bisedimeve bërthamore në Vjenë. Teherani synon të vazhdojë fushatën e tij të shantazheve, ose duke shkelur angazhimet e tij sipas kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ose me akte të qarta luftarake dhe terrorizmi.