Presidenti i regjimit iranian Ebrahim Raisi aktualisht pritet të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pak pas hapjes së sesionit të saj të 77-të më 13 shtator. Sigurisht, për këtë do të duhej që Shtetet e Bashkuara së pari t’i jepnin atij vizë për të vizituar Nju Jorkun – diçka që nga ana tjetër, do t’i ofronte atij një pretendim të padrejtë për legjitimitet duke sinjalizuar në të njëjtën kohë shpërfilljen e historikut të tij të gjatë të shkeljes së të drejtave të njeriut ndërkohë që ka promovuar terrorizmin dhe ekstremizmin në mbarë botën.
Raisi u instalua përmes një procesi të rremë zgjedhor në qershor 2021 pasi u miratua nga lideri suprem i regjimit Ali Khamenei. Asnjë figurë tjetër e njohur politike nuk u lejua të kandidonte dhe dy kandidatë të vegjël u larguan nga gara në momentin e fundit për t’i dhënë më shumë peshë të zgjedhurit të liderit suprem. Ndërkohë, opozita kryesore pro-demokratike, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), i kërkoi publikut të bojkotonte votimet si një mënyrë për të “votuar për ndryshimin e regjimit”.
Shumica dërrmuese e popullit iranian e përqafoi atë thirrje. Edhe vetë regjimi ka deklaruar se pjesëmarrja e votuesve ishte më e ulëta në historinë e regjimit. Ndërkohë, sipas vlerësimeve të MEK, më pak se dhjetë për qind e votuesve me të drejtë vote morën pjesë në proces, shumica qëndruan në shtëpi ndërsa të tjerët dorëzuan qëllimisht fletë votimi të pavlefshme për të protestuar kundër kandidaturës së Raisit në veçanti, por edhe kundër parodisë më të gjerë të demokracisë.
Këto protesta ishin rezultat jo vetëm i fushatës së MEK për bojkot elektoral, por edhe i aktivizmit themelor që vuri në dukje backgroud-in e Raisit dhe e etiketoi atë si “kasapin e Teheranit”. Në vitin 1988, ai ishte një nga katër zyrtarët që shërbeu në “komisionin e vdekjes” në kryeqytetin e vendit, i cili mbikëqyrte marrjen në pyetje dhe ekzekutimin pa proces gjyqësor të të burgosurve politikë në burgjet Evin dhe Gohardasht. Ato vrasje ishin komponenti qendror i një masakre mbarëkombëtare që shkaktoi më shumë se 30,000 viktima, shumica prej tyre anëtarë të MEK.
Roli i Raisit në tentativën për asgjësimin e asaj lëvizjeje ishte padyshim arsyeja kryesore pse Khamenei e emëroi atë të shërbente si kreu i gjyqësorit të Iranit në vazhdën e një kryengritjeje mbarëkombëtare në fillim të vitit 2018. Me slogane të tilla si “vdekje diktatorit” si pjesë e protestave që përfshinë mbi 100 qytete dhe qyteza, kjo kryengritje nxori në pah forcën organizative të opozitës dhe shtrirjen e mbështetjes së saj popullore. Në të vërtetë, edhe lideri suprem u detyrua të pranonte në një fjalim se MEK kishte “planifikuar për muaj të tërë” për të mundësuar këto trazira kaq të përhapura, dhe kjo, nga ana tjetër, e shtyu regjimin të rriste përpjekjet e tij për të shtypur disidencën dhe për të shkurajuar lidhjet me lëvizjen e Rezistencës.
Documentary: 1988 massacre of 30,000 political prisoners in Iran and the role of Ebrahim Raisi
Ebrahim Raisi kishte qenë ndër përcjellësit e këtyre kërcënimeve dhe kishte bërë thirrje që Bolton, Pompeo dhe të tjerë të gjykoheshin në një “gjykatë islamike” për sulmin me dron të vitit 2020 që vrau komandantin e Forcës Quds të IRGC-së, Qassem Soleimani. Ai la të kuptohej se nëse nuk do të ndodhte një gjyq i tillë, ndjekësit e modelit të fondamentalizmit islamik të regjimit do ta zbatonin vetë “gjykimin e Zotit”.
Këto kërcënime spikatën edhe më shumë më 12 gusht kur një njeri i quajtur Hadi Matar, i cili kishte lavdëruar IRGC-në në mediat sociale, sulmoi dhe goditi me thikë autorin Salman Rushdie në skenë në një event letrar në shtetin e Nju Jorkut, me sa duket duke u përpjekur të zbatonte një fetva 33-vjeçare në të cilën themeluesi i regjimit iranian bënte thirrje për vdekjen e autorit.
Do të ishte gabim t’i jepej Raisit një vizë në çfarëdo rrethane, por ky gabim do të ishte veçanërisht i pamend nëse do të bëhej kaq shpejt pasi sulmi ndaj Rushdie risolli fuqishëm në kujtesë faktin se terrorizmi i mbështetur nga Irani ka depërtuar në kufijtë e Shteteve të Bashkuara. Në radhë të parë, prania e tij mund të shërbejë si burim frymëzimi për agjentët dhe mbështetësit e regjimit, dhe në radhë të dytë, mund t’i lërë vetë regjimit një përshtypje të qartë se SHBA nuk ka interes të mbajë përgjegjës zyrtarët kryesorë të Iranit për kërcënimet terroriste dhe aktivitetet malinje shoqëruese.