Saturday, July 27, 2024

Populli iranian jep “me qira” bukën ndërkohë që regjimi shpenzon biliona për luftë dhe terrorizëm

iran leasing bread“Varfëria ka marrë dhenë në rrethinat e Tabrizit (një qytet i madh në Iranin veriperëndimor). Madje ka njerëz që japin bukë me qira,” ka thënë së fundi Alireza Monadi, anëtar i Majlis-it (parlamentit) të regjimit.

Ndërkohë që njerëzit në Perëndim zakonisht “japin me qira” makinat e tyre apo blerje të tjera më të mëdha ose përdorin karta krediti për të blerë ushqime apo sende të tjera, miliona iranianë janë aq të varfër sa u mungojnë paratë e xhepit për të blerë qoftë edhe disa copa bukë. Furrat e bukës në të gjithë Iranin kanë filluar t’i lejojnë njerëzit të marrin sasinë e nevojshme ditore të bukës dhe ta bëjnë pagesën më vonë kur ta kenë marrë rrogën apo pensionin e tyre mujor.

Është tronditëse të mendosh se në shekullin e 21-të ka njerëz që jetojnë në metropole të mëdha dhe që e marrin bukën me qira. Sidomos kur marrim parasysh faktin se Irani ka rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në botë dhe rezervat e katërta më të mëdha të naftës bruto. Edhe më shqetësues është fakti që e dimë se këto pohime të zyrtarëve të regjimit dhe mediave shtetërore janë vetëm maja e ajsbergut.

Raportet nga brenda Iranit tregojnë se ka njerëz që kanë pesë vjet që nuk kanë ngrënë mish. Ose një nënë që nuk mund t’i ushqejë pesë fëmijët e saj dhe mendon të “shesë njërin” për të ushqyer katër të tjerët dhe nuk di cilin të shesë. Edhe pse të thyhet zemra vetëm ta mendosh një gjë të tillë, për fat të keq ka një numër në rritje të familjeve në mbarë Iranin që po shesin fëmijët e tyre.

Sigurimi i jetesës është bërë aq i vështirë për miliona njerëz në të gjithë Iranin, saqë ata nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç përballjes me vdekjen si pasojë e urisë, shitjes së një organi të trupit apo edhe të një fëmije. Të tjerë po i drejtohen vetëvrasjes.

Rastet e vjedhjeve janë gjithashtu në rritje në mbarë Iranin. Sipas një artikulli të publikuar nga e përditshmja shtetërore Hamdeli më 12 mars, autoritetet e regjimit thonë se 50 për qind e rasteve të vjedhjeve të vogla kryhen nga njerëz që nuk kanë vjedhur më parë. Këtu përfshihen vjedhja e këpucëve nga hyrjet e shtëpive, rrobave të varura në tel, madje edhe kapakëve të kanalizimeve nga rrugët.

Një situatë e tillë katastrofike është e paprecedent në 100 vitet e fundit që nga kriza e fundit e urisë në Iran në vitin 1917, e cila zgjati përafërsisht dy vjet. Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhej se regjimi i mullahëve që sundon Iranin po e detyron aktualisht popullin iranian t’i nënshtrohet një lloji të ri krize të urisë.

Sërish, po flasim për një vend që gëzon burime natyrore tetë herë më të larta se mesatarja globale. Nuk duhet të harrojmë se të ardhurat e Iranit nga nafta në vitet e fundit kanë kaluar shifrën 1 trilion dollarë.