23 mars 2020
Mbi 10,500 njerëz në 212 qytete të Iranit kanë vdekur nga koronavirusi, sipas opozitës iraniane PMOI/MEK
PMOI/MEK shpalli mbasditen e sotme, e hënë, 23 mars 2020, se numri i viktimave të koronavirusit në 212 qytete ka shkuar në mbi 10,500. Numri i viktimave në Isfahan ka shkuar mbi 600 dhe në Kashan mbi 500, me të paktën 1262 në të gjithë provincën Isfahan. Deri tani, 872 njerëz kanë vdekur në Khorasan Razavi, 83 në Zanjan, 160 në Ardabil, 536 në Golestan, 369 në Khuzestan, 41 në Kohgiluyeh dhe Boyer Ahmad, dhe 40 në Semnan.
Shumë njerëz që janë nxjerrë nga spitali kanë vdekur në shtëpi brenda një jave, sipas mjekëve në Gilan, por ata nuk janë përfshirë tek numri i të vdekurve.
Shitëset Ambulante Detyrohen të Shesin nëpër Metro Ndërkohë që Koronavirusi Përhapet në Iran
Shitëseve ambulante, të cilat kanë të ardhura të pakta, u duhet të sigurojnë jetesën – qoftë nëpër rrugë apo në metro. Nga shkaku i përhapjes së koronavirusit, ka më pak kalimtarë nëpër rrugë. Si pasojë, këto shitëse nuk kanë zgjedhje tjetër veçse t’ua shesin artikujt e tyre klientëve në metro.
Një shitëse, Zahra, heq zvarrë çantën me shalle të pashitura teksa zbret në stacionin e fundit të linjës. Zahra ka dy vajza, të dyja studente.
11 të vdekur dhe shumë të lënduar nga përmbytjet që shkatërrojnë provincat jugore të Iranit
Përmbytjet bllokojnë rrugët drejt 54 fshatrave të provincës Hormozgan në Iranin jugor – Mars 2020
Përmbytjet në provincat jugore të Iranit po shkaktojnë dëme të mëdha e po ua shkatërrojnë jetët njerëzve. Gjatë dy ditëve të fundit kanë vdekur të paktën 11 njerëz e shumë të tjerë janë lënduar. Një grua 32-vjeçare dhe një vajzë pesë vjeçe në qytetin Bandar Abbas të Iranit jugor, si dhe një 58-vjeçar në Larestan kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve. Këto fatkeqësi kanë lënë prapa edhe shumë të lënduar, dy prej të cilëve janë në Bandar Kangan pranë Bushehr-it, në Iranin jugor, dhe një tjetër është në qytetin Darab. Janë raportuar shira të dielën, më 22 mars, në provincat Hormozgan, Fars, Bushehr, Sistan& Baluchistan, dhe Kerman.
Maryam Rajavi: Solidaritet me bashkatdhetarët tanë të bllokuar në nëntë provinca të Iranit për shkak të përmbytjeve dhe daljes së lumenjve nga shtrati.
Ngushëllime familjeve të viktimave në Larestan dhe Bandar Abbas.
Ashtu si në rastin e përhapjes së Koronavirusit, nuk mund të priteshin ndihma nga regjimi i degjeneruar i mullahëve. Populli i Iranit bëhet viktimë e incidenteve të parandalueshme.
Ligjvënësit Rumunë Mbështesin Viktimat e Koronavirusit në Iran, Dënojnë Fshehjen e Fakteve nga Regjimi
Një grup ligjvënësish rumunë, anëtarë të Komitetit Parlamentar Rumun për Iranin e Lirë, në një deklaratë më 21 mars, shprehën solidaritetin e tyre me viktimat e koronavirusit në Iran, si dhe dënuan fshehjen e fakteve nga regjimi dhe paaftësinë e tij në menaxhimin e situatës, që ka rezultuar në një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vdekjeve. Sipas Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) afërsisht 10,000 njerëz kanë humbur jetën.
Anëtarët e Komitetit Parlamentar Rumun për Iranin e Lirë
- Romeo Nicoara — Z. Titus Pasca — Znj. Cristina Iurisniti — Znj. Maria Eugenia Barna — Znj. Maria Grecea — Z. Adrian nicolae Deaconu Z. Andrei Gerea — Z. Janil Budorescu dhe Z. Petru Stirbate
Shpërthimi i Koronavirusit në Iran: Ndërkohë që Numri i Vdekjeve i Afrohet Shifrës 10,000, Khamenei Fajëson në Mënyrë Qesharake SHBA-në
Iran, Qom – Varrimi i një viktime të koronavirusit
Përhapja e koronavirusit ua ka marrë jetën deri tani 9,600 njerëzve, sipas raporteve të publikuara nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e megjithatë lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, në vend që të veprojë, fajëson Shtetet e Bashkuara për këtë krizë.
Më 22 mars, Khamenei tha paturpësisht: “Së pari, ju (SHBA) po përballeni vetë me mungesa … Nëse keni ndonjë gjë, përdoreni vetë. Së dyti, dyshohet se ju e keni prodhuar virusin. Duhet të jemi të çmendur që t’ju besojmë se do na sillni ilaçe. Ilaçet tuaja madje mund ta përhapin sëmundjen edhe më tej ose ta bëjnë të qëndrueshëm virusin. Ose, nëse dërgoni mjekë, ndoshta doni t’i testoni nga afër efektet toksike të virusit që keni krijuar. Sepse thuhet që, nisur nga njohuritë rreth gjeneve iraniane, një pjesë e virusit është krijuar enkas për Iranin.”
Këto komente tregojnë dëshpërimin e Khamenei-t dhe ekspozojnë natyrën çnjerëzore të regjimit. Ato e bëjnë gjithashtu të qartë që regjimi nuk ka ndërmend t’i ndihmojë njerëzit e prekur nga koronavirusi.
Më herët këtë muaj, presidenti i regjimit, Hassan Rouhani, i cili më parë kishte parashikuar se kriza do të përfundonte më 7 mars 2020, tha në mënyrë qesharake se: “E kemi kaluar tashmë kulmin e krizës në Qom dhe Gilan, dy pikat më të vështira… Në Gilan, 20% e shtretërve të spitaleve janë bosh.
Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha: “Dërdëllitjet e cekëta e demagogjike të Khamenei-t pasqyrojnë, përveç mizorisë së tij ndaj pacientëve (të Koronavirusit), edhe dëshpërimin dhe pasivitetin që rrjedhin nga rruga pa krye në të cilën ndodhet regjimi dhe frika nga kryengritjet popullore. Ndërkohë që kjo katastrofë ka përfshirë mbarë Iranin dhe numri i viktimave vazhdon të rritet, Khamenei nuk ofron asnjë zgjidhje, madje as edhe një premtim për ta ndihmuar popullin.”
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar ndaj fjalëve të Khamenei-t, përmes një njoftimi për shtyp më 23 mars, ku thuhet: “Fabrikimet e Liderit Suprem Khamenei lidhur me Virusin e Wuhan janë të rrezikshme, dhe i vënë iranianët e njerëzit e tjerë nëpër botë në një rrezik edhe më të madh.”
Duke iu referuar disa fakteve që tregojnë se si regjimi ka ndihmuar në përhapjen e virusit në Iran, Departamenti i Shtetit thotë: “Në shkurt, kompania ajrore kryesore e terrorizmit në Iran, Mahan Air, ka bërë të paktën 55 fluturime mes Teheranit dhe Kinës, duke e infektuar kështu më tej popullin iranian. Rastet e para të koronavirusit në të paktën pesë vende të tjera kanë qenë direkt të importuara nga Irani, duke i vënë kështu në rrezik miliona jetë të tjera. Regjimi iranian i ka shpërfillur paralajmërimet e shumta nga zyrtarët e vet të shëndetit dhe e ka mohuar vdekjen e parë nga koronavirusi në Iran për të paktën nëntë ditë. Regjimi vazhdon ta gënjejë popullin iranian dhe botën lidhur me numrin e rasteve dhe vdekjeve, numër i cili është fatkeqësisht shumë më i lartë sesa ai që deklaron regjimi.”
Duke iu referuar faktit që regjimi i ka refuzuar të gjitha ndihmat ndërkombëtare për viktimat, Departamenti amerikan i Shtetit shtoi: “Ndërkohë që zyrtarët e regjimit iranian kërkojnë më shumë fonde, është e rëndësishme të vihet në dukje se që nga viti 2012, Irani ka shpenzuar mbi 16 bilion dollarë për terrorizëm jashtë vendit, dhe e ka përdorur heqjen e sanksioneve nga JCPOA për të mbushur sënduqet e proksive të tij. Zyrtarët e regjimit kanë vjedhur mbi një bilion euro që ishin përcaktuar për ndihma mjekësore, dhe vazhdojnë të grumbullojnë e të fshehin maska, doreza, e pajisje të tjera të domosdoshme mjekësore, për t’i shitur në tregun e zi. Sanksionet amerikane nuk prekin importet e ushqimeve, ilaçeve e pajisjeve mjekësore, apo të artikujve të tjerë humanitarë. Dokumentet iraniane tregojnë se kompanitë e shëndetit në Iran kanë mundur të importojnë pajisje testimi pa pengesa nga sanksionet amerikane që në janar.”
Të gjitha këto vërtetojnë se virusi dhe problemi i vërtetë është vetë regjimi dhe, për sa kohë që ai të vazhdojë të jetë në pushtet, shpërthimi i koronavirusit nuk do të mund të kontrollohet në Iran. Siç ka thënë Znj. Rajavi: “Gjepurat e Khamenei-t rreth prodhimit të virusit nga SHBA janë një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar paaftësinë e regjimit në luftimin e sëmundjes dhe rolin kriminal të regjimit në përhapjen eksplozive të virusit në mbarë vendin, si dhe për ta drejtuar zemërimin e neverinë e popullit drejt SHBA-së. Por këto justifikime nuk bëjnë punë më dhe vetëm sa e përkeqësojnë xhindosjen e popullit.”