Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit (BCFIF) më 26 janar dënoi fuqishëm ndëshkimin e ri të dhënë për të burgosurin politik iranian Saeid Sangar, i cili ka qenë në burg gjatë 20 viteve të fundit. Parlamentarët britanikë bënë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare pasi regjimi i Iranit vazhdon t’i shpërfillë kritikat ndërkombëtare dhe nuk ua vë veshin thirrjeve e rekomandimeve për ta përmirësuar situatën e të drejtave njerëzore.
Saeid Sangar, 47 vjeç, është arrestuar në vitin 2000 për mbështetjen e tij ndaj Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Ndonëse i ka mbaruar periudha e burgimit, Drejtësia e regjimit e ka dënuar atë me 11 muaj të tjerë burg.
“Sipas raporteve, Drejtësia e Iranit e ka dënuar së fundmi Z. Sangar me 11 muaj të tjerë burg në Urmia pasi ai e kishte mbaruar dënimin arbitrar të mëparshëm me 20 vite burg, pa asnjë ditë leje, për mbështetjen e tij ndaj opozitës iraniane pro demokracisë, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Z. Sangar e kanë marrë në pyetje dhe torturuar në burgim të izoluar në burgun Evin për tre vite pas arrestimit të tij në vitin 2000 dhe siç raportohet, e kanë bërë të përjetojë 13 ekzekutime të rreme gjatë kohës së tij në burg,” shkruan BCFIF në deklaratë.
Rasti i Saeid Sangar është një nga rastet më të fundit të shkeljeve të të drejtave njerëzore në Iran është pjesë e shkeljeve sistematike të këtyre të drejtave. Javët e fundit, regjimi iranian i ka shtuar masat shtypëse.
Të hënën, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, regjimi vari Mehdi Ali Hosseini-n, një mundës iranian. Ali Hosseini ishte një tjetër sportist i ekzekutuar nga regjimi klerikal muajt e fundit. Më herët, regjimi kishte ekzekutuar heroin dhe kampionin kombëtar të mundjes në Iran, Navid Afkari, për pjesëmarrjen e tij në raundin e dytë të protestave të 2018-ës.
Gjatë javëve të fundit ka patur mbi 34 ekzekutime në mbarë Iranin. Kjo tendencë në rritje e shkeljeve të të drejtave njerëzore në Iran nuk është fare e habitshme pasi kryegjyqtar i vendit është Ebrahim Raisi, një nga autorët kryesorë të masakrës së 1988-ës.