Wednesday, November 30, 2022

Re të Zeza mbi Bisedimet Bërthamore me Iranin Teksa Teherani Shton Kërkesa pa Vend

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian javën e kaluar në Katar midis SHBA-së dhe regjimit iranian, nuk arritën të bënin asnjë hap përpara në çështjen bërthamore të Iranit, e jo më të arrinin një zgjidhje. Departamenti i Shtetit i SHBA-së tani thotë se nuk ka plane për bisedime të reja.

“Prezantimi i çdo gjëje që shkon përtej kufijve të ngushtë të JCPOA-së tregon mungesë serioziteti dhe angazhimi. Dhe kjo, për fat të keq, është ajo që ekipi pa edhe një herë në Doha,” u tha gazetarëve të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price, duke iu referuar marrëveshjes bërthamore të Iranit me titullin e saj zyrtar, Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Tani jemi në korrik 2022, më shumë se gjashtë muaj që nga dhjetori 2021 kur negociatorët perëndimorë thoshin se kishin mbetur vetëm “disa javë” për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të 2015-ës. Si rezultat i refuzimit të Perëndimit për të ndërmarrë një politikë të rreptë dhe të vendosur përballë agresioneve bërthamore të Teheranit dhe shkeljeve të përsëritura të angazhimeve të tij, regjimi i mullahëve ka vazhduar përpjekjet për të fituar kohë për të avancuar më tej me programin e paligjshëm të armëve bërthamore dhe për të zhvilluar programin e raketave balistike si një mjet për lëshimin e kokës bërthamore.

Më 1 korrik, Bloomberg raportoi se BE është në përpjekje për të nisur një raund të ri bisedimesh bërthamore pas vizitës së planifikuar të Presidentit të SHBA Joe Biden në Lindjen e Mesme në mes të korrikut. Ndërsa duket krejtësisht normale bazuar në standardet dhe procedurat diplomatike ndërkombëtare, kjo në fakt jep një sinjal të vazhdueshëm dëshpërimi, të cilin Teherani e ka shfrytëzuar në maksimum për disa dekada.

Perëndimi duhet ta kuptojë se regjimi iranian ka qenë gjithmonë, ashtu si edhe tani, në disavantazh. Teherani ka nevojë për marrëveshjen më shumë se Uashingtoni dhe Brukseli, dhe SHBA/BE duhet të veprojnë me vendosmëri dhe të tregojnë se janë të gatshëm të tërhiqen. Përndryshe, mullahët do të vazhdojnë të blejnë kohë dhe do të përsërisin shkeljet e angazhimit të tyre bërthamor, si p.sh. shkëputja e kamerave monitoruese të OKB-së dhe instalimi i centrifugave të avancuara për pasurimin e uraniumit në Fordow, një vend i mbrojtur mirë, thellë në zemrën e një rajoni malor në Iranin qendror.

“…ne jemi sigurisht të alarmuar, siç janë partnerët tanë, për përparimin që kanë bërë në fushën e pasurimit”, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin Robert Malley në një intervistë me Radion Publike Kombëtare, duke përsëritur vërejtjet e Price për shtimin e “kërkesave të cilat, sipas meje, kushdo do t’i shihte si pa asnjë lidhje me marrëveshjen bërthamore.”

Irani posedon mjaftueshëm uranium të pasuruar në nivel të lartë për të prodhuar një bombë dhe mund ta bëjë këtë brenda disa javësh, tha ai.

Pasi foli me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, Ministri i Jashtëm i regjimit iranian Hossein Amir-Abdollahian tha në Twitter, “Marrëveshja është e mundur vetëm në bazë të mirëkuptimit dhe interesave reciproke. Ne mbetemi të gatshëm për të negociuar një marrëveshje të fortë dhe të qëndrueshme. SHBA duhet të vendosë nëse dëshiron një marrëveshje apo do të këmbëngulë që t’u përmbahet kërkesave të saj të njëanshme”.

Kjo është një tjetër taktikë nga strategjia e politikës së jashtme të Teheranit: kthejeni topin në fushën e kundërshtarëve tuaj dhe përfitoni nga pasiguria e tyre për të ndërmarrë veprime ndëshkuese kuptimplote. Për sa kohë që Iranit nuk i kërkohet llogari për sjelljen e tij agresive, mullahët në Teheran dhe komanda e lartë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), vetë entiteti që qëndron pas programeve të raketave bërthamore dhe balistike të regjimit, do të ndihen të sigurt për ta shtrirë më tej lakminë e tyre. Për momentin, data kryesore në kalendarin e Iranit është takimi i ardhshëm i Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në shtator.

Pas rezolutës së mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së në qershor, të miratuar me gjysmë zemre, e cila dënon moszbatimin nga Irani të procedurave dhe udhëzimeve të inspektorëve, Teherani do të testojë vendosmërinë e Perëndimit për të parë nëse ata janë të gatshëm ta dënojnë regjimin duke referuar dosjen e tij bërthamore nga IAEA tek Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ndërsa Rusia dhe Kina padyshim që do të refuzojnë të mbështesin çdo rezolutë të KS të OKB-së që riinstalon sanksionet ndërkombëtare të para vitit 2015 kundër Teheranit, vetë ky përshkallëzim nuk është në favor të Teheranit dhe ai do të donte ta shmangte një zhvillim kaq negativ.

Nëse Perëndimi i luan letrat e tij siç duhet, gjë që e ka të lehtë ta bëjë, ai mund ta frenojë dhe pengojë programin e armëve bërthamore të Iranit, duke krijuar gjithashtu terrenin për t’iu kundërvënë mbështetjes së regjimit ndaj terrorizmit global dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.

Paralelisht me bllokimin bërthamor, Irani po shfrytëzon qëndrimin e dobët të Perëndimit në lidhje me politikën e tij të vjetër të marrjes së pengjeve perëndimorë për t’i shkëmbyer me terroristët e tij të arrestuar dhe/ose ndjekjen e objektivave të caktuara të politikës së jashtme duke kërkuar gjithashtu përfitime financiare. Marrëveshja bërthamore e Obamës 2015 vazhdon të kritikohet edhe sot për faktin se i ka siguruar Teheranit 1.7 miliardë dollarë për lirimin e një numri shtetasish të dyfishtë të mbajtur peng nga IRGC.

Në këtë moment, grupe dhe personalitete të shumta nga e gjithë bota po paralajmërojnë për një marrëveshje të re për shkëmbimin e të burgosurve midis Belgjikës dhe regjimit iranian, duke akuzuar politikanët belgë se i kanë dhënë një “dritë jeshile terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”.

Brukseli po kërkon miratimin e shpejtë nga Parlamenti i tij për një traktat që mund të çojë në lirimin e diplomatit-terrorist iranian Assadollah Assadi dhe tre bashkëpunëtorëve të tij. Assadi dhe ekipi i tij po vuajnë dënimin në burg në Belgjikë për “vrasje të mbetur në tentativë dhe përfshirje në terrorizëm” për rolin e tyre në komplotin për të hedhur në erë një tubim të vitit 2018 pranë Parisit, të mbajtur në mbështetje të koalicionit opozitar iranian, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit.

Komisioni belg për marrëdhëniet me jashtë votoi në favor të projektligjit të mërkurën, duke krijuar një precedent shumë të rrezikshëm. Projektligji i traktatit, i cili ka shkaktuar që tani një tensionim të paprecedent politik në Belgjikë, me pasoja të mundshme në të gjithë Evropën, do të prezantohet para të gjithë Parlamentit belg prej 150 anëtarësh më 14 korrik.

Ky është një tjetër test për Perëndimin, veçanërisht për Kontinentin e Gjelbër, mbi vullnetin e tyre për të marrë një qëndrim të rreptë, siç duhej ta kishte marrë prej kohësh, ndaj regjimit në Iran, i njohur më së miri si sponsori kryesor shtetëror në botë i terrorizmit që është tani shumë pranë tejkalimit të “pragut bërthamor”, që nënkupton aftësinë për të prodhuar armë bërthamore pa u pikasur.