Europianët duhet të jenë të sigurt që mullahët nuk do t’ia përtonin të shkaktonin më shumë dhimbje në kontinentin e gjelbër, teksa gëzojnë pandëshkueshmërinë.
Traktati Iran-Belgjikë për shkëmbimin e të burgosurve ka shkaktuar zemërim global, pasi mund të çojë në lirimin e diplomatit-terrorist të burgosur të Teheranit, Assadollah Assadi.
Assadi u arrestua në vitin 2018 së bashku me tre bashkëpunëtorë të cilët pa sukses komplotuan për të hedhur në erë tubimin e opozitës iraniane në Francë.
Nëse traktati miratohet, ai do të lehtësonte riatdhesimin e Assadit, në këmbim të shtetasve belgë të mbajtur peng nga Teherani.
Ndërsa Brukseli përpiqet ta fshehë këtë traktat të paarsyeshëm me Teheranin duke sjellë në vëmendje shqetësimet humanitare, me sa duket kjo marrëveshje ka disa interesa ekonomike jo vetëm për Belgjikën, por edhe për vendet e tjera, veçanërisht për Francën.
“Ky traktat me sa duket rezulton në lirimin e një ose disa pengjeve francezë dhe me nënshtetësi të dyfishtë në Iran. Por përtej kësaj marrëveshjeje, europianët po përpiqen të përfitojnë nga nafta dhe gazi i Iranit”, shkroi më 1 korrik faqja në gjuhën perse e Radio France International (RFI).
Politico gjithashtu e theksoi këtë fakt, duke nënvizuar se ky traktat “vjen pasi liderët europianë janë në panik lidhur me çmimet e energjisë dhe janë gjithnjë e më të etur për të riparuar marrëdhëniet me Iranin me shpresën se Republika Islamike mund të rimarrë rolin e saj si një furnizues kryesor i naftës dhe gazit”.
Sakrifikimi i të drejtave të njeriut dhe vlerave të tjera demokratike që Europa i ka çmuar prej kohësh mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, por a është kjo hera e parë?
Franca, në dukje forca kryesore nxitëse e traktatit Iran-Belgjikë, sipas vëzhguesve, ka vuajtur jashtëzakonisht shumë nga terrorizmi, por me sa duket, nuk ka mësuar nga e kaluara.
Që nga viti 1980, Franca është bërë terreni i veprimit për terroristët e regjimit. Në vitin 1982, terroristi libanez Anis al-Naqqash u kap në flagrancë duke u përpjekur të vriste kryeministrin e fundit të Shahut. Në vitin 1982, Hezbollahu libanez i mbështetur nga Teherani, rrëmbeu 106 shtetas të huaj, duke përfshirë 16 shtetas francezë, duke shkaktuar “krizën e pengjeve në Liban” që zgjati me vite. Kjo krizë ndodhi menjëherë pasi sulmet terroriste nga përfaqësuesit e Teheranit në Bejrut vranë 241 amerikanë dhe 58 francezë.
Ndërmjet viteve 1985 dhe 1986, dy terroristë, Fouad Ali Saleh dhe Lofti Ben Khala, dhe grupi i tyre kryen disa sulme terroriste në Francë, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë. Të dy terroristët u arrestuan në vitin 1986 dhe pranuan se kishin qenë në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit (MOIS) dhe me Gardën Revolucionare (IRGC).
Për të siguruar lirimin e pengjeve të tij, Parisi zgjodhi paqësimin në vend të rreptësisë dhe hyri në negociata me Teheranin. Ai pranoi kërkesat e regjimit iranian për të rritur presionin ndaj opozitës iraniane në Francë, por kjo nuk e pengoi Teheranin të bënte kërdi në Francë.
Në vitin 1987, provat konfirmuan rolin që luajtën ambasada e Iranit në Francë dhe i ashtuquajturi përkthyes i saj, Vahid Gordji, në këta sulme, duke bërë që gjyqtari Gilles Boulougne të lëshonte një urdhër arresti për Gordji. Gordji u strehua në ambasadë dhe u vu nën survejim.
Ndërkohë, në Teheran, IRGC arrestoi një diplomat francez dhe rrethoi ambasadën e Francës në kryeqytetin iranian. Pas muajsh negociata, Parisi iu dorëzua shantazhit të Teheranit dhe e lejoi atë të largohej nga Franca.
Më vonë u zbulua se Charles Pasqua, i cili po negocionte me iranianët për fatin e pengjeve francezë, kishte ofruar të shkëmbente Gordji me francezin.
Qasja e dobët e Parisit ndaj terrorizmit të Teheranit e inkurajoi regjimin të shkonte aq larg sa të përpiqej të hidhte në erë mbledhjen e Rezistencës Iraniane në vitin 2018 në zemër të Parisit. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve europiane të sigurisë parandaloi vdekjen e mijëra njerëzve, duke përfshirë personalitete të njohura nga të dy anët e Atlantikut dhe më gjerë.
Duket se fuqitë perëndimore, veçanërisht qeveritë europiane, nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara. Ëinston Churchill ka thënë: “Një paqësues është ai që ushqen një krokodil, duke shpresuar se do ta hajë atë të fundit”. Europianët duhet të jenë të sigurt që mullahët nuk do t’ia përtonin të shkaktonin më shumë dhimbje në kontinentin e gjelbër, teksa gëzojnë pandëshkueshmërinë.