Friday, July 26, 2024

Kërkesa e Regjimit Iranian për Heqjen nga Lista të IRGC-së Mund të Jetë Duke e Zbehur Optimizmin për Paktin Bërthamor

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian, gjatë vizitës në Damask, ministri i jashtëm i regjimit iranian Hossein Amir-Abdollahian, pohoi se negociatat në Vjenë janë më afër se kurrë rivendosjes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, të cilën regjimi në Teheran filloi ta shkelte menjëherë pasi SHBA u tërhoq nga kjo marrëveshje në vitin 2018.

Që nga fillimi i bisedimeve në Vjenë prillin e kaluar, optimizmi ka mbizotëruar në deklaratat publike të secilit prej pjesëmarrësve, përfshirë SHBA-në, pjesëmarrja e së cilës është indirekte për shkak të refuzimit të Teheranit për të lejuar përfaqësuesit e tij të takohen me homologët e tyre amerikanë. Shfaqjes së fundit të këtij optimizmi nga Amir-Abdollahian iu bë jehonë nga zyrtarët rusë kur ata parashikuan me besim se pala iraniane do të rihynte në bisedimet e Vjenës me synimin për të miratuar një projekt-marrëveshje menjëherë pas festës së Novruzit të së dielës së kaluar, ose Vitit të Ri iranian.

Edhe Shtetet e Bashkuara i bënë jehonë në fillim këtij optimizmi, por të martën ato ndërmorën një qasje shumë të ndryshme, pasi zyrtarët e Departamentit të Shtetit u thanë mediave se qeveria amerikane po “përgatitet njësoj” si për ringjalljen reciproke të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), ashtu edhe për shembjen e plotë të tij.

Këto deklarata pasqyrojnë paralajmërimet e para nga administrata Biden në lidhje me gatishmërinë e saj për të zbatuar një “Plan B” në rast se diplomacia nuk arrin të parandalojë përparimin e regjimit iranian drejt zotërimit të armëve bërthamore. Por këto deklarata me sa duket kishin disa muaj pa u përsëritur në nivele të larta kur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, pohoi të hënën se “nuk jemi afër një marrëveshjeje të sigurt”.