
Shtyrja e bisedimeve të Vienës ka shkaktuar skepticizëm e pesimizëm për sa i përket ringjalljes së JCPOA-së. Sidomos komentet e bëra nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë, Mikhail Ulyanov, i cili deri tani kishte folur gjithmonë me nota pozitive, i kanë shtuar mundësitë negative për një pakt bërthamor. Javën e shkuar ai paralajmëroi se shtyrja e bisedimeve mund ta dobësojë vendosmërinë e palëve të marrëveshjes.
Kjo po ndodh edhe pse, pas fillimit të bisedimeve të Vienës, marrëveshjes fillestare të anëtarëve, dhe shpalljes se kishte nisur shkrimi i tekstit përfundimtar të marrëveshjes, optimizmi lidhur me arritjen e një mirëkuptimi të hershëm ishte rritur aq sa disa besonin se raundi i gjashtë i negociatave do të përfundonte me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Ka reagime të ndryshme për faktin se pse nuk u arrit kjo marrëveshje pas gjashtë raundeve të negociatave dhe shtyrjes pa afat të vazhdimit të tyre.
Në përgjithësi, divergjencat midis palëve negociuese mund të vlerësohen në dy nivele, tekniko-ligjore dhe politike. Në nivelin tekniko-ligjor, i cili duket se është guaska e negociatave, janë arritur disa marrëveshje dhe heqja e sanksioneve të forta nuk është kontestuar në mënyrë të konsiderueshme përballë tërheqjes bërthamore të Iranit.
Disa ekspertë të regjimit llogarisin se heqja e sanksioneve mbi sektorin bankar, të naftës, petrokimik, të sigurimeve, dhe të transportit detar do të çlironte të paktën 80 përqind të ekonomisë së Iranit nga hija e sanksioneve.
Por ajo që regjimi po kërkon është heqja e sanksioneve të vëna mbi persona të vërtetë e ligjorë, të cilët janë kryesisht anëtarë të IRGC-së dhe lideri suprem i regjimit, Ali Khamenei. Por SHBA ka thënë se nuk mund t’i heqë sanksionet jo-bërthamore të vendosura nga administrata Trump.
Nga ana tjetër, SHBA dhe Troika Europiane këmbëngulin që centrifugat e gjeneratës së re ose të shkatërrohen, ose të hiqen nga Irani, për shkak të reduktimit të ‘pikës së arratisjes’ bërthamore të Iranit, gjë që nuk është miratuar nga regjimi.





