Friday, March 29, 2024

Iran: A e Ka Dobësuar Presioni Maksimal JCPOA-në apo Thjesht Ka Ekspozuar Dobësinë e Saj

Nga fillimi i këtij muaji, Ministri i Jashtëm i Francës Jean Yves Le Drian foli në media rreth degradimit të vazhdueshëm të paktit bërthamor të 2015-ës me Iranin dhe bëri thirrje për veprim të menjëhershëm për t’i ndalur dhe kthyer mbrapsht shkeljet e përshkallëzuara të regjimit iranian. Mes zyrtarëve europianë, Le Drian spikat si një nga kritikuesit më të flaktë të regjimit iranian, por megjithatë, as thirrjet e tij nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme në mënyrë që t’i konfrontojnë siç duhet veprimtaritë malinje të Teheranit.

Ministri i jashtëm francez nuk duket aq i prirur sa kolegët e tij për të qenë i rezervuar në përshkrimin e natyrës dhe statusit të provokimeve të Iranit. Duke folur për gazetën Journal du Dimanche, ai theksoi nevojën për një ndryshim të menjëhershëm pasi Irani është në procesin e sigurimit të kapaciteteve për armë bërthamore. Duke vendosur ta “thotë qartë këtë,” Le Drian nuk bëri gabimin t’i jepte besueshmëri mohimeve e shmangieve të Teheranit.

Me shkeljen më të fundit të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), Irani ka nisur punën për prodhimin e metalit uranium, i cili nuk ka praktikisht asnjë qëllim tjetër veçse të përdoret si pjesë e bërthamës së një pajisjeje shpërthyese bërthamore. Kjo gjë dhe zhvillime të tjera të ngjashme kanë ndezur një ndjesi urgjence tek politikë-bërësit perëndimorë. Por as ata që i kanë dhënë zërin e duhur kësaj ndjesie urgjence, si Le Drian, nuk e kanë përdorur atë për të motivuar veprimet e duhura politike.

Në vend të kësaj, ata kanë vazhduar të mbështeten tek ideja se ky problem mund të zgjidhet me anë të negociatave të zakonshme, a thua se dështimi i JCPOA-së mund të korrigjohet thjesht duke ndjekur përsëri të njëjtën rrugë. Kritikat më të theksuara të Le Drian ndaj veprimeve iraniane nuk e kanë ndaluar atë të imitojë praktikën e kolegëve të tij më të rezervuar të balancimit të këtyre kritikave me një koment të barasvlefshëm drejtuar Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën intervistë ku kritikon Iranin për lëvizjet drejt kapacitetit bërthamor, ai përsërit gjithashtu kundërshtimin e Europës ndaj fushatës amerikane të presionit maksimal.

“Administrata Trump zgjodhi atë që e quan fushatë e presionit maksimal mbi Iranin. Rezultati ishte se kjo strategji vetëm sa e shtoi rrezikun dhe kërcënimin,” tha Le Drian, duke nënkuptuar se shkeljet e Teheranit ishin një pasojë e pashmangshme e asaj fushate, dhe jo pasojë e vetë të metave të JCPOA-së.

Nëse ka ndonjë shpresë që Irani të bëjë lëshime lidhur me këto veprimtari të tjera, kjo do të varet nga qëndrueshmëria e presionit maksimal ndërkombëtar. Të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura ngusht si aspekte të përpjekjes së regjimit iranian për ta përdorur shfaqjen e forcës si mburojë për ruajtjen e pushtetit. Si rrjedhim, veprimtaritë malinje të Teheranit do të vazhdojnë në çdo fushë derisa të bëhet e qartë që pasoja e këtyre veprimtarive do të jetë izolimi i plotë ekonomik e diplomatik, dhe në fund, shembja e sistemit në pushtet.