Thursday, March 28, 2024

IAEA: Regjimi Iranian Ka Shkelur Traktatin e Mos-Proliferimit Bërthamor

IAEA: Iran regime in breach of Nuclear Non-Proliferation Treaty Ndërtesa e IAEA në Vienë

E domosdoshme të ri-imponohen gjashtë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të aktivizohet mekanizmi i zgjidhjes sw konfliktit 

Dy raporte të reja nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) drejtuar Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së mbi programin bërthamor të regjimit iranian konfirmojnë se regjimi e ka shkelur në mënyrë të përsëritur Traktatin e Mos-Proliferimit Bërthamor (NPT) dhe Protokollin Shtesë, si dhe ka shkelur edhe Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA).

Njëri nga këto dy raporte, me titull “Marrëveshja e Garancisë e NPT me Republikën Islamike të Iranit,” thekson: “Si rezultat i vlerësimeve të saj të vazhdueshme, Agjencia ka identifikuar një numër pyetjesh lidhur me materiale të mundshme e të padeklaruara bërthamore dhe veprimtari bërthamore në tre lokacione në Iran të cilat nuk janë deklaruar nga Irani.”

Në raportin përmbledhës, IAEA shton: “Agjencia vë në dukje me shqetësim të madh se, për më shumë se katër muaj, Irani ia ka mohuar aksesin Agjencisë, sipas nenit 4.b.(i) dhe nenit 5.c. të Protokollit Shtesë, në dy lokacione dhe, për gati një vit, nuk është përfshirë në diskutime të rëndësishme për të sqaruar pyetjet e Agjencisë lidhur me materiale e veprimtari të mundshme bërthamore të padeklaruara në Iran. Kjo gjë po ndikon negativisht në aftësinë e Agjencisë për t’i sqaruar dhe zgjidhur këto pyetje dhe për të dhënë garanci të besueshme për mungesën e materialeve dhe veprimtarive bërthamore të padeklaruara në këto lokacione në Iran.”

Raporti i dytë mbi zbatimin nga ana e regjimit të angazhimeve të tij nën Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe JCPOA, vë në dukje se, deri më 20 maj, rezervat totale të uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta të regjimit klerikal shkonin deri në 1,571.6 kilogramë, dhe “më 8 korrik 2019, Agjencia verifikoi se Irani kishte filluar ta pasuronte UF6 mbi nivelin 3.67% U–235 (para. 28). Që nga ajo datë, Irani ka vazhduar ta pasurojë uraniumin deri në 4.5% U-235. Irani ka vazhduar gjithashtu të kryejë disa veprimtari pasurimi që nuk përputhen me pasurimin e tij afatgjatë dhe planin e pasurimit R&D, siç i është dhënë Agjencisë më 16 janar 2016 (para. 52). 24.” Kjo ndërkohë që JCPOA lejon pasurimin e uraniumit vetëm deri në 3.67% dhe deri në sasinë maksimale prej 202.8 kilogramësh.

Raportet e reja nga IAEA tregojnë edhe një herë që regjimi iranian nuk e ka braktisur projektin e tij për të prodhuar një bombë atomike. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore më 14 korrik 2015, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), pati deklaruar: “Anashkalimi i gjashtë rezolutave të Këshillit të Sigurimit nuk do t’i parandalojë mashtrimet e mullahëve dhe përpjekjen e tyre për të prodhuar një bombë atomike.” Pesë vite pas paktit bërthamor, shkeljet e regjimit klerikal dëshmojnë për këtë fakt. Këto veprime përfshijnë mungesën e vazhdueshme të transparencës për sa i përket Përmasave të Mundshme Ushtarake të programeve të tij bërthamore (PMD), veprimtaritë e Organizatës së Inovacionit dhe Kërkimeve për Mbrojtjen (akronimi në Farsi: SPND), dhe të Qendrës për Kërkimin dhe Zgjerimin e Teknologjive për Shpërthim dhe Impakt (Markaz-e Tahghighat va Tose’ e Fanavari-e Enfejar va Zarbeh), e njohur me akronimin në Farsi si METFAZ.