Saturday, January 28, 2023

Një person dënohet me burg për faktin që ka shkelur sanksionet amerikane mbi regjimin e Iranit

Shkruar nga Mansoureh Galestan më 26 tetor 2019.

Vazhdon fushata e “presionit maksimal” e Shteteve të Bashkuara kundër regjimit të Iranit për mosbindjen e tij ndaj paktit bërthamor të 2015-ës të Iranit me fuqitë botërore dhe për veprimtaritë e tij keqdashëse.

Në aksionin më të fundit kundër atyre që tentojnë të shmangin sanksionet mbi regjimin e Iranit, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka dënuar Behrooz Behroozian-in, një 64-vjeçar banues në Ohio, me 20 muaj burg për faktin se ka shkelur sanksionet amerikane duke i dërguar regjimit iranian teknologji industriale dhe të naftës.

 Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, John C. Demers, tha në një deklaratë, “Për vite të tëra, ky i pandehur është përpjekur qëllimisht t’i mposhtë e t’i shmangë sanksionet mbi Iranin për përfitime personale, duke siguruar pajisje thelbësore për kompleksin industrial iranian. Siç e vërteton ky rast, dëshira për teknologji të specializuar amerikane dhe gatishmëria për t’ia dërguar atë në mënyrë të paligjshme vendeve armiqësore, janë plotësisht reale dhe prezente.” 

Departamenti i Drejtësisë zbardhi detaje ku tregohet se Behroozian përdorte një kompani ndërmjetësuese, Sumar Industrial Equipment, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i mbuluar veprimtaritë e tij të paligjshme për anashkalimin e sanksioneve. Ai kishte krijuar një kompani pjesësh kompjuterike në Ohio, e cila nuk kishte shitje brenda vendit por dërgonte në Iran, përmes kompanisë Sumar, valvula e konektorë që përdoren për gazsjellës industrialë për industritë e gazit e të rafinimit. 

Sipas Departamentit të Drejtësisë, ai fitonte rreth 40,000 dollarë në vit. 

View image on Twitter

Më 24 shtator, një gjykatës amerikan dënoi një tjetër kontrabanduese të regjimit iranian, e cila ishte arrestuar më përpara në Australi, për faktin se ishte përpjekur të lehtësonte eksportimin e paligjshëm të teknologjisë në Iran.  

Demers dhe Avokatja e SHBA-së Erica H. MacDonald për Distriktin e Minesotës shpallën dënimin e Negar Ghodskani, 40 vjeç, me 27 muaj burg për lehtësimin e eksportit të paligjshëm të teknologjive të kontrolluara nga Shtetet e Bashkuara në Iran. 

Ghodskani, me bazë në Teheran, u shmangej sanksioneve amerikane mbi regjimin iranian duke blerë produkte dhe komponentë elektronikë amerikanë për kompaninë e saj nga viti 2008 deri në 2011-ën. Në vitin 2009, Ghodskani u zhvendos në Malajzi për të punuar dhe e prezantonte veten në mënyrë të rreme si punonjëse në Green Ëave, ndërkohë që operonte me një kompani frontale për Fanavar Moj Khavar (Fana Moj), një kompani me bazë në Iran, e cila merret me komunikimet transmetuese, komunikimet me mikrovalë, si dhe me prodhimin e pajisjeve të transmetimit dixhital video, duke vazhduar t’i pengonte në mënyrë të paligjshme sanksionet ndërkombëtare duke siguruar artikuj sensitivë që i duheshin punëdhënësit të saj.