Ndahet nga Jeta Arqipeshkvi Desmond Tutu, “Busulla Morale” e Afrikës së Jugut dhe Mik i Popullit e Rezistencës Iraniane

705

Ndahet nga jeta Arqipeshkvi Desmond Tutu, “busulla morale” e Afrikës së Jugut dhe mik i popullit e Rezistencës iraniane

Arqipeshkvi Desmond Tutu, “busulla morale” e Afrikës së Jugut dhe lider anti-aparteid, u nda nga jeta më 26 dhjetor. Ai ishte gjithashtu laureat i Çmimit Nobel për Paqen, dhe sakrifikoi vite të tëra të jetës së tij duke luftuar kundër regjimit të aparteidit.

“Vdekja e Arqipeshkvit Emeritus Desmond Tutu është një tjetër kapitull zie në lamtumirën që kombi ynë po i jep një brezi afrikano-jugorësh të shquar të cilët na kanë lënë trashëgim një Afrikë të Jugut të çliruar,” tha në një deklaratë Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Arqipeshkvi Tutu gjithmonë ka promovuar të drejtat e njeriut dhe është ngritur në mbrojtje të vlerave si paqja gjatë gjithë jetës së tij. Për shkak të background-it të tij dhe vlerave që përqafonte, Arqipeshkvi Tutu e ka përkrahur popullin iranian dhe rezistencën së tij në kohët më të vështira.

Ai mbështeti veçanërisht anëtarët e Rezistencës Iraniane që sulmoheshin në kampin Ashraf të Irakut nga qeveria kukull e Iranit në Bagdad.

“Unë i bashkohem UNHCR-së, BE-së, vendeve të tjera anembanë botës dhe personaliteteve e organizatave të të drejtave të njeriut që dënojnë fuqishëm sulmet e dhunshme të forcave irakiane kundër banorëve të pambrojtur dhe të paarmatosur të Kampit Ashraf më 8 prill 2011, sulme të cilat lanë 35 banorë të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur,” thuhej në deklaratën e Arqipeshkvit Tutu pas sulmit të forcave irakiane ndaj banorëve të kampit Ashraf në 2011-ën.

Në vitin 2010, Arqipeshkvi Tutu dërgoi një mesazh në tubimin e përvitshëm “Irani i Lirë” të Rezistencës Iraniane, dhe u lut që “drita e të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë njerëzore … të shkëlqejë fort mbi të gjitha kombet”.

“Në Iran sot, kjo luftë për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut është rizgjuar. Pavarësisht rreziqeve të mëdha, populli iranian po u thotë liderëve të tij dhe botës se dëshiron ta rifitojë vendin që i takon si popull që beson dhe mbron të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe paqen,” thuhej në mesazhin e tij.

Arqipeshkvi Tutu pati dënuar gjithashtu dhunën e regjimit të Iranit kundër protestuesve iranianë gjatë kryengritjes së vitit 2009.

Arqipeshkvi Tutu “kurrë nuk kishte frikë t’i thoshte të vërtetën pushtetit, pavarësisht nga besimi apo ngjyra e tij,” shkruan Agjencia Franceze e Lajmeve.

Rezistenca dhe populli iranian humbën një mik të madh dhe u shprehin ngushëllimet e sinqerta familjes dhe njerëzve të tij të dashur.