Thursday, September 12, 2024

Mini Raporti i së Premtes për Iranin – 22 Qershor, 2018

 

  • Iraniani Akuzohet për Komplotim për të Kontrabanduar Materiale nga Illinois

Një padi federale ka akuzuar një biznesmen iranian 56 vjeçar se është përpjekur të kontrabandojë materiale të përdorura në industrinë e raketave dhe të ndaluara nga rregulla të mos-proliferimit bërthamor nga Illinois në Iran.

Prokurorët federalë kanë thënë të enjten se Saeed Valadbaigi ka komplotuar në vitin 2011 për të eksportuar ilegalisht tuba alumini të përdorura edhe në industrinë e raketave, edhe në atë të fluturimit, nga Illinois në Iran duke kaluar nëpër Belgjikë dhe Malajzi.

Akuzat kundër Valadbaigi përfshijnë mashtrim financiar përmes teknologjive të telekomunikacionit si dhe përpjekje për të shkelur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave.

  • Avokatja Iraniane Arrestohet Pasi Deklaroi Pafajsinë e Burrit të Ekzekutuar Sufi

Autoritetet iraniane kanë arrestuar një avokate për përhapjen e “gënjeshtrave” pasi ajo kishte deklaruar se një burrë Sufi i ekzekutuar këtë javë ishte dënuar pa të drejtë për vrasjen e tre policëve, raporton media lokale.

Agjensia gjysëm-zyrtare Farse e lajmeve tha më 20 qershor se një urdhër arresti ishte lëshuar kundër Zeinab Taheri për bërjen e “deklaratave të rreme” dhe për shkak të “gënjeshtrave të saj të përhapura online të cilat pretendonin se [Mohammad Salas] ishte i pafajshëm.”

  • Shefi Gjerman i Inteligjencës Paralajmëron për Sulme Kibernetike nga Irani, Rusia dhe Kina

Gjermania ka shprehur shqetësim rreth shtimit të sulmeve kibernetike nga Irani, Rusia dhe Kina.

Kreu i agjensisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, Bfv, Hans-Georg Maassen ka thënë për rrjetin raportues Redaktionsnetzëerk Deutschland se “sasia dhe cilësia e fushatave kibernetike të organizuara nga shërbimet e huaja të inteligjencës ka qenë në rritje” këtë vit.

Maassen paralajmëroi se shërbimet e inteligjencës së Iranit, Rusisë dhe Kinës mund të jenë të përfshira në valën e re të sulmeve kundër Gjermanisë.

  • Lihet në harresë fati i të burgosurit politik Arzhang Davoudi

21 Qershor, 2018 – Gati tre muaj pas mesazhit të fundit nga i burgosuri politik Arzhang Davoudi nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij aktuale.

Familja e këtij të burgosuri politk është kërcënuar dhe mbetet nën presion. Dihet vetëm që Davoudi mbahet nën presion dhe torturë, aktualisht në seksionin karantinë të Burgut Qendror të Zahedan-it në Iranin jug-lindor.

  • Katër gra kanë kryer vetëvrasje në Iran

Katër gra kanë kryer vetëvrasje në qytetet Teheran, Shiraz, Rafsanjan, dhe Ahwaz në ditët e fundit.

Të enjten në mëngjes, 21 qershor, 2018, Saeed Gholampour, një nga zyrtarët e Gjykatës në Provincën Fars, shpalli në një konferencë lajmesh se një vajzë në klasë të gjashtë i kishte marrë jetën vetes duke u vetë-varur.

Në lajme të tjera, kalimtarët në një stacion metroje në Teheran raportuan se një grua e re ishte hedhur përpara një treni të mërkurën, 20 qershor, 2018, duke humbur jetën.

Raporte të tjera tregojnë se një adoleshente 14 vjeçare ka kryer vetëvrasje të hënën, 18 qershor, në Rafsanjan, një nga qytetet e Provincës Kerman në Iranin jugor.

Natën e së dielës, 17 qershor, 2018, një grua 35 vjeçare vari veten dhe vdiq në shtëpinë e saj në distriktin Dadshahr në Ahwaz, kryeqyteti i provincës së pasur me naftë, Khuzistan, në Iranin jug-perëndimor.

  • Dita e Pestë e Protestave Studentore në Universitetin e Teheranit Kundër Dënimeve të Rënda për Studentët e Arrestuar në Iran

Të enjten, 21 qershor, 2018, protesta studentore në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Teheranit hyri në ditën e pestë të saj, kundër dënimeve të rënda të lëshuara nga gjykata iraniane kundër studentëve të arrestuar në këtë fakultet.

Studentët kanë kërcënuar se në qoftë se Mansur Gholami, Ministri i Shkencës dhe Arsimit në Iran, nuk do të vijë në fakultet për shpjegime, ata do t’i anullojnë provimet dhe nuk do të marrin pjesë në seanca.