Ish-Kryebashkiaku i New York Rudy Giuliani tha për “Hannity” në Fox News Channel të premten se Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI), e njohur ndryshe si Mujahedin-e Khalq (MEK), përfaqëson alternativën demokratike ndaj regjimit të mullahëve në Iran.
“Ekziston një alternativë. MEK është një alternativë. NCRI … është një alternativë ndaj qeverisë. Dhe ata janë të gatshëm të shkojnë atje e të bëjnë punën e vështirë. Gjithçka që u duhet është mbështetja jonë,” tha Kryebashkiaku Giuliani për Sean Hannity më 19 korrik 2019.
Më herët atë ditë, regjimi iranian kishte kapur një anije me flamur britanik, dhe sipas Kryebashkiakut Giuliani, Shtetet e Bashkuara mund të përgjigjen në një mënyrë të tillë që ta bëjnë shumë të vështirë mbijetesën e regjimit.
“Nëse do të mund ta bëjmë të pamundur për ta që të ndërtojnë armë bërthamore në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, jam i bindur që do të ketë ndryshim regjimi atje,” tha Kryebashkiaku Giuliani.
“Domethënë, mund të ndodhë këtë vit ose vitin tjetër. Gjëja tjetër që nënvlerësohet – dhe kam parë prova të konsiderueshme me video lidhur me këtë gjë, dhe kam dy-tre intervista që dua t’ju tregoj. Protestat në Iran janë shumë të rëndësishme. Kam parë video të mijëra njerëzve nëpër rrugë. Dhe gjërat kanë shkuar përtej protestave thjesht politike. Shoferët e taksive, gjithë mësuesit në Iran, kanë bërë greva, dhe mbajnë postera ku shkruhet ‘Poshtë ajatollahu.’ Kjo gjë u rrezikon jetën. ‘Poshtë Rouhani.’ Dhe thërrasin në mbështetje të Madamë [Maryam] Rajavi-t dhe njerëzve në qeverinë e koalicionit. Dhe ky është fakt. Mund ta shihni,” tha ai.
“Shihen gjithashtu njoftimet [në Iran]. Kam parë disa njoftime për njerëz që shesin veshkat e tyre për $500 në mënyrë që të ushqejnë familjet e tyre,” vazhdoi ai. “Pra, ata janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë.”