Thursday, February 2, 2023

Kryemjeshtri i Torturave në Iran do të Jetë Presidenti i Ardhshëm i Vendit

 

 

Regjimi iranian do ta zhvillojë farsën e zgjedhjeve presidenciale më 18 qershor, dhe pritet gjerësisht që kryegjyqtari aktual Ebrahim Raisi, një nga autorët e masakrës së 1988-ës ndaj të burgosurve politikë do të përzgjidhet lehtësisht si presidenti i ardhshëm.
National Interest, në një artikull me titull “Kryemjeshtri i Torturave në Iran do të Jetë Presidenti i Ardhshëm i Vendit” ka intervistuar dy nga viktimat e Raisi-t.

Më poshtë vijon teksti i plotë i artikullit të National Interest:

nga Hollie McKay
Ishte një mbasdite përvëluese korriku në vitin 1983 kur më shumë se një duzinë anëtarësh të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike shpërthyen derën e tezes së Farideh Goudarzi, me pushkë në duar. Nëntë muajshe shtatzënë, njëzet e një vjeçarja mezi ecte, e le pastaj të vraponte. Nën survejim për përpjekjet e saj opozitare dhe shpërndarjen e fletushkave anti-regjim, Goudarzi nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të priste.

“Më dërguan menjëherë në një dhomë marrjesh në pyetje, me përmasa rreth tre me katër metër, me vetëm një tavolinë në mes që përdorej për të rrahur me kamxhik të burgosurit,” thotë ajo. “Dyshemeja ishte plot gjak. Në atë kohë nuk e dija që një pjesë e madhe e atij gjaku të freskët ishte nga im shoq, i cili ishte zhdukur dy ditë më parë.”

Ndonëse edhe pak ditë do të lindte fëmijën e parë, Goudarz mban mend që e kishin rrahur në mënyrë barbare me kabllo elektrike pothuajse në çdo pjesë të trupit të saj që dridhej, dhe e kishin goditur me aq forcë në fytyrë saqë edhe sot vuan nga artriti i nofullës dhe nga dhimbje të mprehta të herëpashershme.

“Ishin rreth tetë burra që qëndronin atje për të më rrahur me kamxhik. Por më shumë nga të gjithë më kujtohet njëri – ishte i ri, ndoshta 21 apo 22 vjeç, me një këmishë të errët përmbi pantallona. Ai rrinte në qoshe dhe i shihte të tjerët tek më rrihnin pa pushim,” thotë Goudarzi, tani 59 vjeç. “Dukej që i pëlqente të shihte. Ai njeri ishte Ebrahim Raisi.”

Ky burrë që argëtohej nga kjo rrahje pritet të bëhet President i Republikës Islamike të Iranit javën tjetër.

Asnjëri nga konkurentët e mundshëm ndaj pretendentit të parë, Ebrahim Raisi-t, nuk është lejuar të garojë në zgjedhjet e 18 qershorit, të cilat komuniteti ndërkombëtar i ka etiketuar kryesisht si një farsë. Për më tepër, shtatë kandidatët e tjerë janë përgjithësisht të panjohur për popullsinë e gjerë dhe besohet se nuk përbëjnë ndonjë kërcënim serioz për Raisi-n, i cili është gjithashtu i parapëlqyeri i zgjedhur me kujdes i Ajatollahut Khamenei.

Edhe pas lindjes, Goudarzi mbeti me djalin e saj të dëshpëruar e të kequshqyer në burgim të izoluar për më shumë se gjashtë muaj para se t’i jepej dënimi me vdekje. Më pas, Goudarzi vuajti për gjashtë vjet prapa hekurave në Hamedan, duke dëgjuar çdo ditë për fytyra të njohura që i merrnin në mes të natës për t’i ekzekutuar—duke përfshirë bashkëshortin e saj. Atë e kishin varur në një oborr burgu.

Raisi, gjashtëdhjetë vjeç, shërben aktualisht si kryegjyqtar i Iranit. Ai është caktuar nga Khamenei më shumë se dy dekada më parë, pas një liste të gjatë besnikërish ndaj Teheranit e dhunimesh të të drejtave njerëzore.

Por Goudarzi nuk është aspak e vetmja që mbart kujtime të dhimbshme të lidhura me Raisi-n.

Ndërkohë, Mahmoud Royaie, pesëdhjetë e nëntë vjeç, ka lindur në një familje të klasës së mesme në Teheran në vitin 1963. Vetëm pesëmbëdhjetë vjeç kur u përmbys Shahu, ai e gjeti veten shumë shpejt të përfshirë në politikën opozitare. Më 30 gusht 1981, ai dhe të tjerë u kapën nga autoritetet ndërkohë që ecnin rrugës dhe u dërguan menjëherë në dhomën e torturës dhe marrjes në pyetje pa as edhe një lloj procedure të drejtë.

“Na detyruan të rrinim më këmbë në korridor, dhe nuk dëgjoje gjë tjetër veçse britmat e atyre që po torturoheshin—Më kujtohen britmat e grave që i rrihnin fort me kamxhik e i përdhunonin,” thotë ai. “Nuk kisha dëgjuar asnjëherë diçka të tillë. Nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të prisja.”