Shkruar nga Mahmoud Hakamian më 11 gusht 2019.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Bolton, mbërriti në Londër të dielën për të zhvilluar bisedime në të cilat ai pritet ta nxisë Britaninë për ta ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj regjimit iranian.
Dy ditët e bisedimeve të Bolton të hënën dhe të martën reflektojnë përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë të Trump për t’i forcuar lidhjet me qeverinë e re britanike të Kryeministrit Boris Johnson, raporton Reuters.
Bolton pritet t’i nxisë zyrtarët britanikë që ta çojnë politikën mbi Iranin më afër asaj të Uashingtonit, i cili ka ushtruar presion mbi Teheranin me sanksione gjithnjë e më të forta pasi Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti bërthamor me Iranin.
Britania deri tani e ka mbështetur Bashkimin Europian në ruajtjen e paktit bërthamor, i njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), por kapja e një cisterne britanike nafte në Ngushticën e Hormuzit nga Garda Revolucionare e regjimit iranian ka ushtruar presion mbi Londrën që të marrë në konsideratë një qëndrim më të ashpër.
Më 4 korrik, flota britanike ndaloi pranë bregut të Gjibraltarit një anije iraniane, e cila dyshohej se po kontrabandonte naftë për në Siri. Këtë muaj, Britania iu bashkua Shteteve të Bashkuara në një mision të sigurisë detare në Gjirin Persik për të mbrojtur anijet tregtare.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump ka thënë për Reuters se në bisedimet e tij me britanikët, Bolton do të argumentojë se presioni mbi regjimin iranian do të rritej nëse Londra do ta deklaronte të vdekur JCPOA-në por se një vendim i tillë nuk pritet së shpejti.