Shkruar nga Shahriar Kia
Represioni sistematik ndaj disidencës është një tipar i njohur i regjimit iranian. Ky represion është i lidhur ngusht me faktin që ky regjim njihet si sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit në botë. Historia e sulmeve terroriste të mbështetura nga Irani është plot me shembuj ku shënjestrat kanë qenë mbështetës apo pjesëtarë të grupeve opozitare të vendit, veçanërisht të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Kështu që nuk është absolutisht e çuditshme që një dhunë e ngjashme politike drejtohet edhe kundër aktivistëve të Rezistencës që operojnë brenda atdheut të tyre.
Megjithatë, mbulimi ndërkombëtar i këtij terrorizmi shtetëror të brendshëm nuk është shumë i qëndrueshëm. Incidenti më i rëndë në shumë vite ndodhi vetëm nëntorin e shkuar, e megjithatë vetëdija ndërkombëtare për të është e kufizuar. Madje edhe mes mediave perëndimore që e kanë mbuluar këtë shtypje ndaj disidencës, një numër i madh nuk e kanë paraqitur shkallën e vërtetë të kësaj shtypjeje.
Pasi iranianë nga i gjithë vendi morën pjesë në një kryengritje spontane anti-regjim – e dyta në dy vite – raportet fillestare të MEK, e cila kishte filluar që herët të mblidhte dëshmi të njerëzve të pranishëm në vendngjarje, treguan për një numër të madh vdekjesh, dhe në fund MEK arriti në konkluzionin se brenda vetëm pak ditësh, Garda Revolucionare (IRGC) kishte vrarë afërsisht 1,500 demonstrues paqësorë. Në të njëjtën kohë, për të shtypur zëra të tjerë të disidencës, mijëra u arrestuan, shumë prej të cilëve kanë mbetur në burg deri sot. Disave prej tyre u janë dhënë dënime me vdekje, gjë që tregon se impaktit afat-gjatë të kësaj shtypjeje mund t’i shtohen edhe viktima të tjera.
Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ngrejë zërin më fort se ç’ka bërë deri tani kundër këtyre masave shtypëse dhe duhet t’i kërkojë llogari regjimit për krimet e tij. Komuniteti botëror duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i ndaluar ekzekutimet e planifikuara, si dhe të ushtrojë atë lloj presioni që mund ta parandalojë një përgjigje tjetër të dhunshme kur, në mënyrë të pashmangshme, populli iranian të ngrihet sërish kundër regjimit klerikal. Por komuniteti ndërkombëtar duhet gjithashtu të fillojë të promovojë një vetëdije më të madhe lidhur me atë që nënkuptojnë masat shtypëse të regjimit ndaj disidencës, si dhe t’i dëgjojë zërat e disidencës brenda Iranit, të cilët bëjnë thirrje për ndryshim regjimi.
Rritja e papritur e represionit të dhunshëm nga ana e Teheranit nëntorin e shkuar nuk ishte arbitrare. Ajo ishte një përgjigje krejtësisht e qëllimshme ndaj një lëvizjeje mbarëkombëtare në rritje. Më konkretisht, ajo ishte një përgjigje ndaj një lëvizjeje që po influencohet nga MEK. Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei e pranoi një gjë të tillë gjatë një fjalimi në fillim të 2018-ës, ndërkohë që e para nga dy kryengritjet e kohëve të fundit ishte në kulmin e saj.
Khamenei tha se MEK kishte “planifikuar për muaj të tërë” të ndihmonte në organizimin e protestave në mbi njëqind qytete iraniane. Roli udhëheqës i këtij grupi u pasqyrua qartë në mesazhin e pagabueshëm të kryengritjes për ndryshim regjimi. Pjesëmarrësit në mbarë vendin u dëgjuan tek thërrisnin me të njëjtat sllogane, si “vdekje diktatorit.” Këto ishin të paprecedent në një shkallë kaq të gjerë, dhe treguan për ekzistencën e një niveli mbështetjeje për platformën e MEK që autoritetet iraniane ishin përpjekur me kohë ta mohonin.
Regjimi ka përdorur “gazetarët miqësorë” dhe agjentë të tjerë të tij për të infiltruar në mediat perëndimore duke nxitur publikimin e narrativave të rreme për MEK dhe NCRI. Përmes rrjeteve të lobuesve dhe operativëve të inteligjencës, Teherani kishte këmbëngulur se MEK nuk ishte gjë tjetër veçse një “kult” apo një grup shumë i vogël pa asgjë që t’i afrohej mjeteve për ta sfiduar qeverinë me themele të forta të Iranit. Ata e mbështetnin më tej pretendimin e tyre të rreme duke deklaruar se pothuajse asnjë aktivist iranian nuk përmendte emrin e MEK kur dënonte regjimin iranian apo kur shpaloste vizionin e tij alternativ për të ardhmen e Iranit.
Por nëse ndalemi dhe mendojmë për këtë aktivizëm brenda kontekstit të prirjes së Iranit për dhunë politike dhe terrorizëm ndërkombëtar, duhet t’i kuptojmë arsyet pse njerëzit nuk e thonë emrin e MEK në fillim të kryengritjes së tyre. Pranimi publik i kësaj mbështetjeje nxit atë lloj përgjigjeje që u pa gjatë masakrës së 1988-ës kur 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan thjesht pse mbështesnin MEK-un.
Obsesioni i Teheranit për shkatërrimin e MEK është kaq i rëndë saqë autoritetet kanë marrë në shënjestër individë vetëm pse kanë qenë të lidhur familjarisht me anëtarë të MEK. Në 2013-ën, forcat e sigurisë në Teheran arrestuan një çift Iranian, Hassan Sadeghi dhe Fatemeh Mosanna, së bashku me dy fëmijët e tyre, për të vetmen arsye se kishin organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e dy-vjetorit të vdekjes së babait të Sadeghi-t.
Para se të vdiste në një spital të Bagdadit, Gholam Hossein Sadeghi kishte jetuar në kampin e MEK-ut në Irak, i cili njihej si Kampi Ashraf. Ai kompleks ishte baza e MEK deri kur shumica e banorëve të tij u zhvendosën në një ish-bazë ushtarake amerikane, e më pas në Shqipëri, pas sulmeve, rrethimeve e tentativave të shumta për infiltrim nga operativët iranianë dhe aleatët e tyre militantë irakenë. Secili nga këto sulme ka shërbyer si një kujtesë e lidhjeve midis terrorizmit të jashtëm të Teheranit dhe disidencës së brendshme, dhe e faktit që një pjesë e madhe e asaj dhune fokusohet drejtpërdrejt tek MEK.
Thjesht banimi në Kampin Ashraf i mjaftonte gjyqësorit iranian për të justifikuar identifikimin e dikujt si “në luftë me Zotin,” dhe kështu, ai person bëhej automatikisht objekt i dënimit me vdekje. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një vizitë të thjeshtë në kompleks për t’u takuar me të afërmit. Kjo është një gjë që Amnesty International e pati vënë në dukje në dhjetor 2010 pas ekzekutimit të Ali Saremi, një 63-vjeçar i cili kishte shkuar në Kampin Ashraf për t’u takuar me djalin e tij afërsisht katër vite më parë.
Saremi u dënua fillimisht me një vit burg por u ri-arrestua disa kohë pas lirimit të tij në 2007-ën dhe u akuzua se e mbështeste personalisht MEK-un. Ekzekutimi i tij i mëpasshëm u krye befas dhe pa paralajmërim, gjë që është tipike për ekzekutimet me motive politike në Iran. Por deklarata e Amnesty International mund të kishte shërbyer si paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar lidhur me potencialin për ekzekutime të tjera të tilla. Fakti që pati një përgjigje shumë të zbehtë e bëri drejtësinë iraniane të ndihej e qetë për të vazhduar me ekzekutimet e Jafar Kazemi dhe Mohammad Haj-Aqai në janar 2011. Edhe ata ishin dënuar si armiq të Zotit thjesht pse kishin vizituar Kampin Ashraf.
Ka shumë histori të tilla, dhe shumë njerëz të tjerë që kanë vuajtur dënime më të lehta thjesht pse kanë qenë të lidhur me mbështetësit e MEK. Djali i Gholam Hossein Sadeghi-t vazhdon të jetë në burg edhe sot, më shumë se shtatë vite pas ceremonisë së tij përkujtimore, dhe autoritetet e regjimit kanë konfiskuar shtëpinë e familjes dhe pjesën më të madhe të pronave të tij.
Me pak fjalë, kostoja e mbështetjes për rezistencën iraniane dhe kauzën e saj të lirisë e demokracisë në Iran është jashtëzakonisht e lartë. E megjithatë kryengritjet në janar 2018 dhe nëntor 2019 flasin qartë. Ka një rrymë të fuqishme mbështetjeje për rezistencën iraniane dhe luftën e saj për liri, që rrjedh përmes shoqërisë iraniane. Këto veprimtari janë të afta ta sfidojnë pushtetin e këtij regjimi. Mund të imagjinohet se sa më e madhe do të ishte kjo aftësi nëse komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte situatën, dhe do ta njihte të drejtën e popullit iranian për rezistencë e për përmbysjen e këtij regjimi.