
Pas dëgjimit të dëshmive të dëshmitarëve dhe paditësve, proces që ka zgjatur disa javë, gjykata suedeze që po zhvillon gjyqin ndaj Hamid Noury-t, një zyrtar i regjimit i cili ka qenë i përfshirë në krime kundër njerëzimit, i ka dhënë të pandehurit mundësinë për të shpjeguar versionin e tij të ngjarjeve.
Noury kishte katër ditë për të mbrojtur çështjen e tij. Por në këto katër ditë, përpjekjet e tij për të shfajësuar veten vetëm sa e kanë theksuar edhe më shumë shkallën e mizorive të kryera në burgjet e Iranit, si dhe nevojën për t’u kërkuar llogari zyrtarëve iranianë për krimet e tyre.
Në vitin 1988, udhëheqësi suprem i atëhershëm Ruhollah Khomeini nxori një fetva, një dekret fetar, përmes të cilës urdhëronte spastrimin e burgjeve iraniane nga të gjithë mbështetësit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Me urdhër të Khomeinit, mbi 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan në të gjithë Iranin. Detyrën për kryerjen e këtyre vrasjeve e kishin Komisionet e Vdekjes, të cilat ishin delegacione autoritetesh gjyqësore dhe ekzekutive që i thërrisnin të burgosurit dhe ua vulosnin fatin në procese gjyqësore që zgjatnin vetëm pak minuta. Të gjithë të burgosurit që refuzonin ta mohonin mbështetjen e tyre për MEK dërgoheshin menjëherë për t’u varur.





