Sunday, January 29, 2023

Iran: Vala e Re e Arrestimeve Është Treguesi më i Fundit i Dobësisë së Regjimit Iranian

Shkruar nga Shahriar Kia

Regjimi iranian duket se është në mesin e një vale të re arrestimesh e thirrjesh në gjyq të motivuara politikisht. Kjo ndodh rregullisht në rastet kur regjimi e gjen veten në mesin e krizave që amplifikojnë rrezikun e shprehjeve publike të mospajtimit. Dhe në këtë moment, këto kriza janë të shumta e të rënda.

Pandemia e koronavirusit është pa dyshim një faktor kontribues në dobësinë e regjimit klerikal. Kriza e kësaj sëmundjeje në Iran është në të vërtetë shumë më e rëndë se ç’pranohet përgjithësisht në mediat ndërkombëtare. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e Iranit ka publikuar statistika zyrtare që e shpallin numrin total të vdekjeve si rreth 12,000, raportet e pavarura tregojnë se aq njerëz kanë vdekur vetëm në kryeqytetin Teheran.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka grumbulluar shumë nga këto raporte të pavarura të cilat mbështesin konkluzionin se numri i vërtetë i vdekjeve në mbarë vendin është mbi 68,000. Raportet e fundit të NCRI-së lënë të kuptohet se Teherani ka përqafuar planin e imunitetit të tufës, dhe nuk ka ndërmend t’i ktheje mbrapsht hapat e marrë gjatë tre muajve të fundit për rihapjen e vendit, duke i rikthyer qytetarët në punë në një mjedis me rrezikshmëri të lartë.

Që përpara se të vihej në lëvizje ky plan, kishte zëra brenda regjimit të cilët paralajmëronin për potencialin që shpërthimi i koronavirusit të përgatiste terrenin për kryengritje të reja anti-regjim. Që në mars, think-tank-u Asra kishte publikuar një raport që e përfshinte këtë konkluzion dhe e nxiste regjimin të merrte masa represive si përgatitje për përgjigjen publike ndaj një krize të keqmenaxhuar.

Kjo është pikërisht ajo që autoritetet e regjimit duket se po bëjnë tani, teksa familjarët dhe miqtë e të burgosurve politikë merren në shënjestër për arrestim e marrje në pyetje. NCRI raporton se kohët e fundit janë bërë bastisje të shumta në shtëpitë e këtyre njerëzve, pas ngacmimeve e frikësimeve që u përshkallëzuan për shkak të një deklarate mediatike të nxjerrë nga një grup aktivistësh të burgosur. Qëllimi i këtyre ngacmimeve “ishte t’ua thyenin rezistencën të burgosurve dhe t’i detyronin të shprehnin pendim e të flisnin kundër MEK-ut dhe Rezistencës Iraniane,” sipas një deklarate më 28 qershor nga Komiteti i NCRI-së për Sigurinë dhe Anti-terrorizmin.