Wednesday, February 1, 2023

Iran: I Mbijetova një Masakre që Bota Donte ta Shpërfillte

Victims of 1988 Massacre in IranViktima të Masakrës së 1988-ës në Iran

 

NGA Asghar Mehdizadeh

Kanë kaluar tre muaj që kur Ebrahim Raisi u inaugurua si president i regjimit iranian. Më tmerron fakti që një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar vazhdon ende të heshtë për sa i përket historisë së tij të gjatë të dhunimeve të të drejtave të njeriut, edhe pasi pjesëtarë të panumërt të diasporës iraniane janë përpjekur të tërheqin vëmendjen ndaj reputacionit të tij si “kasapi i 1988-ës”.

Ky ishte viti kur 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan sistematikisht në burgjet anembanë Iranit. Ishte gjithashtu afërsisht në mesin e 13 viteve të burgimit tim për shkak të aktivizmit tim në emër të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Kjo përkatësi më bëri një nga shënjestrat kryesore të “komisioneve të vdekjes” që ishin në krye të masakrës së 1988-ës. Ishte praktikisht një mrekulli që mbijetova, pasi gjatë gjithë rrjedhës së asaj masakre, unë isha në burgun Gohardasht, ku Raisi kishte shumë autoritet.

The 1988 Massacre of Political Prisoners in Iran: Eyewitness Accounts, Asghar Mehdizadeh

Ka histori të panumërta si e imja, si dhe histori të tjera që ndoshta nuk do të tregohen kurrë. Disa reparte burgjesh dhe pavijone politike u boshatisën plotësisht gjatë masakrës së 1988-ës, duke mos lënë askënd që të mund të dëshmonte as për shkallën e vrasjeve atje dhe as për brutalitetin e procedurave që çuan në këto vrasje. MEK ka bërë përpjekje të mëdha për të siguruar informacionin më të plotë që disponohet aktualisht lidhur me këtë masakër, por gjithashtu ka theksuar prej kohësh nevojën për një komision hetimor të Kombeve të Bashkuara për këtë temë.

Kjo nevojë është bërë edhe më urgjente pas caktimit të Raisit në krye të presidencës. Një hetim zyrtar ndërkombëtar me siguri do t’i hapte rrugën ndjekjes penale të Raisit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Në mungesë të këtij hetimi dhe ndjekjes penale që do të rezultonte prej tij, administratës Raisi dhe të gjithë regjimit iranian do t’i krijohej një ndjenjë pandëshkueshmërie më e fortë se kurrë më parë, të cilën ata do ta shfrytëzonin në mënyra që e dëmtojnë rëndë popullin iranian dhe zvogëlojnë shanset që dikujt t’i kërkohet llogari për një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Që tani, shanset për të gjetur përgjegjësit janë zvogëluar disi nga përpjekjet e regjimit iranian për të shkatërruar vendet e varrezave masive sekrete ku janë varrosur shumë nga viktimat e masakrës së 1988-ës. Amnesty International dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar vazhdimisht për këtë fenomen, duke vënë në dukje se, çdo vit që kalon, bëhet më e vështirë për të krijuar një tablo të plotë të masakrës. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar pa dyshim do ta inkurajojë regjimin për ta përshpejtuar këtë proces.

Kur mendoj për incidente të tilla, më kujtohen edhe një herë tmerret që kam kaluar në vitet 1980. Askush nuk e meriton të përjetojë një vuajtje të tillë apo edhe vetëm ta dëshmojë atë, aq më pak nëse kjo ndodh si pasojë e shprehjes së bindjeve të tij/saj politike ose e advokimit për qeverisje demokratike. E di që politikëbërësit perëndimorë pajtohen me këtë në parim, por e di gjithashtu se ata do t’i kthejnë shpinën këtij parimi nëse nuk veprojnë shpejt për ta hetuar siç duhet masakrën e 1988-ës dhe për t’i kërkuar llogari Ebrahim Raisi-t për rolin e tij në atë masakër.