Të mërkurën, më 23 mars, u zhvillua seanca e shtatëdhjetë e shtatë e gjyqit të Hamid Noury-t në Suedi. Noury, një zyrtar i burgut iranian, u arrestua në vitin 2019 pas mbërritjes në Suedi për shkak të përfshirjes së tij në masakrën e vitit 1988 ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë, kryesisht anëtarë dhe mbështetës të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI).
Gjatë seancës së të mërkurës, dëshmoi Znj. Shadi Sadr, eksperte e së drejtës ndërkombëtare dhe një nga themelueset e Organizatës Drejtësi për Iranin (JFI).
Sipas faqes së saj, JFI “synon të mbahen përgjegjës autorët e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë, mes të tjerash, krimet kundër njerëzimit, torturën, zhdukjet me forcë, krime lufte dhe gjenocid, të cilat janë kryer në Iran ose nga zyrtarët iranianë.”
Si një nga themelueset e JFI-së, Znj. Sadr ka kryer gjithashtu disa kërkime në lidhje me gjenocidin e vitit 1988, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut në Iran dhe gjendjen e vështirë të grave iraniane nën teokracinë mizogjiniste që sundon Iranin.
Që nga viti 2010, Znj. Sadr dhe kolegët e saj në JFI kanë kryer hulumtime të gjera rreth keqtrajtimit sistematik të të burgosurve politikë nga regjimi iranian.
Në një pjesë të dëshmisë së saj, Znj. Sadr nënvizoi se ajo dhe JFI kanë hulumtuar mbi fatin e familjeve të viktimave të masakrës së 1988-ës. Ajo theksoi se, sipas këtyre zbulimeve, regjimi iranian nuk ka pranuar t’ua japë trupat e viktimave të dashurve të tyre. Kështu, shumë familje besojnë se të dashurit e tyre janë varrosur në varre masive, si ai në Khavaran afër Teheranit.
Znj. Sadr hodhi gjithashtu dritë mbi përpjekjet e Teheranit për t’i shkatërruar sistematikisht të gjitha varret masive dhe çdo provë tjetër në lidhje me masakrën e vitit 1988.
Znj. Sadr iu referua gjithashtu bisedave të saj të gjata me të mbijetuarit e masakrës së 1988-ës, të cilët tani janë anëtarë të MEK-ut që banojnë në Ashraf 3 në Shqipëri. Sipas zonjës Sadr, ajo ka intervistuar rreth 50 anëtarë të MEK-ut për orë të tëra dhe ka vizituar Muzeun e Rezistencës në Ashraf 3.
Vlen të përmendet se në gusht 2021, vendi i gjykimit të Hamid Noury-t u transferua në Shqipëri me kërkesë të prokurorëve, në mënyrë që gjyqtari, prokurorët dhe avokatët të mund të dëgjonin dëshmitë e rëndësishme të shtatë anëtarëve të MEK-ut që i kanë mbijetuar gjenocidit të 1988-ës dhe janë paditës në çështjen e Noury-t. Megjithatë, vetë Noury u mbajt në Suedi, ku është i burgosur për krime lufte.